Lidhja Serbi-Rusi vetëm se po forcohet dita-ditës, kjo po vërehet edhe me furnizimin e shtetit serb me armatim të rëndë ushtarak.

Sot në Serbi është hapur panairi Ndërkombëtar i Armëve dhe Pajisjeve Ushtarake ‘Partner 2021’, ku i pranishëm ishte edhe presidenti Aleksandër Vuçiq.

Ky i fundit deklaroi se Serbia do të vijojë ta forcojë ushtrinë, duke nënvizuar se në botën e interesave nuk ka mëshirë për të dobëtit.

Kjo deklaratë e presidentit serb u vlerësua si një kërcënim i tërthortë për Kosovën.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar armatosjen e Serbisë nga ana e Rusisë dhe deklaratat e Aleksandër Vuçiqit.

Ai u shpreh se shteti serb u krijua me ndihmën e rusëve, ku edhe lidhja në mes këtyre shteteve po vazhdon ende tash e sa vite.

“Ka kohë dhe asnjëherë nuk është ndalur dhe ndarë shteti serb nga lidhjet tradicionale me shtetin rus. Gjatë historisë ishin krijuar lidhjet dhe ato mbeten të tilla. Serbia u krijua me ndihmën e rusëve, ky shtet u zgjerua në hapësirën shqiptare me ndihmën dhe me vendimet e Rusisë dhe të Francës.

Në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Ambasadorëve u ndanë mbi 1/2 e territorit shqiptar nga atdheu, Shqipëria, si dhe pjesa tjetër iu aneksua Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Nga Nishi e deri në Manastir, nga Piroti dhe Sanxhaku e deri në Tivar u ndanë territoret nga shteti shqiptar. Tërë jugu iu aneksua Greqisë. Kjo lidhje vazhdoi edhe në dy luftërat botërore, pas LDB dhe në shpërbërjen e Jugosllavisë”, deklaroi profesori.

Sipas Kelmendit, ndikim rus u vërejt edhe në luftën e fundit në Kosovë, ku e përkrahi fuqishëm Serbinë.

Ai tha se edhe tash pas 22 viteve të përfundimit të luftës, Rusia po vazhdon ta furnizojë me tanke, aeroplanë luftarak, helikopterë dhe raketa të ndryshme ushtarake.

“Edhe në luftën e fundit çlirimtare në Kosovë ishte Rusia në anën serbe. Pas luftës e përkrahi Serbinë në OKB, tani po e mbështet kudo në botë dhe ka kohë që po e armatosë shtetin serb me armë.

Së fundi iu dhanë Serbisë tanke, aeroplanë luftarak, helikopterë dhe raketa të ndryshme moderne. Nuk ka fare rëndësi deklarata e kriminelit Vuçiq, Vulin e Daçiq për armatosjen e shtetit serb, kjo po shihet. Këtë e dijnë të gjithë, e di UE, NATO dhe shtetet tjera, si SHBA-të e Anglia”, theksoi ai.

Tutje, Kelmendi potencoi se ky armatim i shteti serb po bëhet kundër shqiptarëve dhe territorit të Kosovës.

Madje, ai ideologjinë tipike fashiste të Serbisë e lidhi më dërgimin e ushtrisë në kufi me Kosovën.

“Armatimi i Serbisë bëhet kryesisht kundër shqiptarëve si komb dhe Kosovë si territor. Por, ky armatim është i drejtuar edhe kundër Bosnjës e Hercegovinës dhe Malit te Zi.

Në Mal të Zi veç e ka pushtetin, këtë po e bënë edhe në Bosnje e Hercegovinë. Po zotëron ideja: “Serbia është për bashkimin e botës serbe”.

Nën këtë ideologji serbomadhe dhe tipike fashiste Serbia dërgoi ushtrinë në kufi me Kosovën, kërcënoi me aeroplanë e helikopterë luftarak dhe bëri deklaratë për sulme ushtarake”, tha ndër të tjera profesori.

Në fund, Kelmendi paralajmëroi një rrezik të madh për Kosovën, pas këtij armatimi të shtetit serb.

Prandaj, ai kërkoi që të bëhet obligative shërbimi ushtarak për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Armatimi i Serbisë është shumë i rrezikshëm për Kosovën. Lidhja e Serbisë me Rusinë dhe e Greqisë me Francën në fushën ushtarake është kërcënim për luftë të hapur në Ballkan. E kjo luftë drejtohet kundër shqiptarëve, prandaj duhet përkujdesje e shtuar dhe rritje e vigjilencës. Natyrisht se kërkohen edhe lidhje me NATO-në, Anglinë e SHBA-të. Kosovës i duhen armë, këtej kërkohet të futet në jetë obligimi ushtarak i tërë qytetarëve në Republikën tonë. Koha është. Kërkohet punë”, përmbylli Muhamet Kelmendi,