Rasti i humbjes së gjyqit me biznesmenin italian Francesco Becchetti, duket se është vetëm një prej përplasjeve të Shqipërisë me investitorët e huaj.

Humbja në arbitrazh me biznesmenin italiani i ka shkaktuar buxhetit shqiptar një dëm ekonomik prej afro 109 milionë euro.

Unpublished në “EuroNews Albania” zbulon se prej vitit 2011 Shqipëria ka humbur 10 vendime arbitrazhi ndërsa nga një proces i nisur në Londër pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, nga buxheti i shtetit rrezikohen të “zhduken” 90 milionë euro të tjera.

Bëhet fjalë për prishjen e njëanshme të kontratës me “Dondi, Itali & Kubota, Japoni” për projektin e “përmirësimit të sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe”.

Kontrata është prishur nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se kjo gjë është bërë në kundërshtim me marrëveshjen e financimit dhe me kushtet e kontratës së lidhur me kontraktorin dhe vlerëson se buxheti i shtetit rrezikon të paguajë një shumë të konsiderueshme që llogaritet mbi 90 milionë euro.

Brikena Kasmi, juriste dhe ish-zv/ministre e drejtësisë tha se në avokaturën e shtetit mungon transparenca.

Të njëjtin mendim ndan edhe ish-avokatja e përgjithshme e shtetit Ledina Mandija duke u shprehur se ka ardhur koha që për këto fatura të kripura në dëm të taksapaguesve shqiptarë, të ketë përgjegjësi individuale penale krahas moralit politik.

Shqipëria rrezikon të humbasë miliona dollarë edhe nga një koncesion i dhënë në vitet ’90 nga Adil Çarçani për shfrytëzimin e bregdetit të Durrësit.

Sipas ekspertit për çështjet e ekonomisë Dritan Shano këto raste kanë pasur dhe kanë një impakt tejet negativ në stepjen e investitorëve të huaj. Sipas tij SPAK mund të hetojë personat përgjegjës për këtë dëm të madh ekonomik.