Më 22 dhjetor të vitit 1982, gazeta e madhe spanjolle “El Pais” dha lajmin se lojtari i Barcelonës, Petrit Fejzula, ishte infektuar me hepatitin B. Nga hepatiti, në të njëjtën kohë, po vuante edhe lojtari tjetër i Barcelonës, Diego Armando Maradona.

Fejzula atëbotë ishte yll i skuadrës së hendbollit të Barcelonës. Maradona si djalosh i ri i ishte bashkuar ekipit të futbollit të Barcelonës. Maradona shpejt do të rritej në superyll të futbollit botëror, ndërsa Fejzula vazhdon të llogaritet prej hendbollistëve më të mirë që ka pasur Jugosllavia.

Petrit Fejzula është i lindur në Prishtinë. Është nga Kosova, e për kohë të gjatë jeton në Spanjë. Disa fotografi të tij me Maradonën janë të shpërndara në internet. Rrëfimi i tij me Maradonën, po ashtu, është i veçantë. Fejzula nuk ka folur shpesh për ato fotografi të realizuara në stadiumin e famshëm “Camp Nou”.

Ka bërë një përjashtim të enjten për KOHËN, një ditë pas vdekjes së legjendës së futbollit, argjentinasit Diego Maradona.

Maradona, që për shumë njerëz është futbollisti më i madh i të gjitha kohërave, ka vdekur të mërkurën në moshën 60-vjeçare. Maradona ka pësuar sulm kardiak.

Bota e futbollit është trishtuar nga lajmi për vdekjen e Maradonës. Të enjten janë bërë homazhe në Argjentinë, ndërsa shumë personalitete sportive kanë ndarë kujtime nga koha me Maradonën e papërsëritshëm.

Maradona është shndërruar në ikonë për kontributin te Napoli dhe tek Argjentina. Por, edhe te Barcelona kishte lënë gjurmën e tij. Kishte luajtur dy vjet, nga viti 1982 e deri në vitin 1984. Në vitin 1982 te Barcelona kishte kaluar edhe Petrit Fejzula. Ishte hendbollisti i parë nga ish-shteti federativ që i ishte bashkuar këtij gjiganti të sportit.

“Më vjen keq që flas për një djalosh të ri, që më nuk është në mesin tonë. Kur kemi firmosur kontratat me FC Barcelona, në vitin 1982, ai për ekipin e futbollit e unë për ekipin e hendbollit, Maradona i kishte vetëm 22 vjet. Ende praktikisht ishte vetëm një djalosh që po luante futboll”, ka thënë Petrit Fejzula .

“Rregullisht e kam përcjellë në stadium, kur kam pasur mundësi. Ai ka luajtur dy edicione, ndërsa unë një më shumë. Ndodhi që të dy të infektohemi në të njëjtën kohë nga hepatiti”, ka shtuar Fejzula, që mbetet prej pivotëve më të vlerësuar nga hendbolli jugosllav. Ai ka luajtur kohë të gjatë për Jugosllavinë dhe ka arritur suksese.

Fotografitë me Maradonën në stadiumin gjigant mbeten kujtim i artë për Petritin.

“Së bashku jemi shëruar dhe kjo situatë ka forcuar shoqërinë tonë. Kur jemi shëruar, jemi thirrur për një reportazh të përbashkët. Kështu ato kujtime janë përjetësuar”.

Fejzula, me trup dukshëm më i zhvilluar se Maradona i famshëm, shihet në njërën fotografi duke mbajtur topin lart mbi kokën e futbollistit. Ai, i buzëqeshur, shikon topin. Në një fotografi tjetër, Maradona mban topin në dorë, ndërsa të dy qëndrojnë të përqafuar dhe të buzëqeshur. Në fotografinë që u publikua në ballinën e “SPORT Domingo”, Maradona e Fejzula mbajnë topin së bashku.

“Jemi shëruar të ndarë, por kontrollimet e shërimit i kemi kryer në të njëjtën kohë”, ka treguar Fejzula. “Sa i takon Maradonës, që atëherë është parë se do të jetë njëri prej më të mëdhenjve. Derisa bisedonim dhe talleshim me sëmundjen gjatë reportazhit, Maradona vazhdimisht ka luajtur me top. Në një moment unë ia kam larguar topin, duke e mbajtur atë me njërën dorë. Ishte simpatik, i këndshëm për bisedë”, ka theksuar Petrit Fejzula.

Në shkrimin e “El Pais-it” thuhet se Fejzula e kishte hepatitin e tipit B, derisa Maradona të tipit A. Maradona ishte transferuar atë vit nga Boca Juniors, derisa Fejzula ishte transferuar te Barcelona nga Cërvena Zvezda e Beogradit. Ai ka luajtur për Zvedën nga viti 1970 e deri në vitin 1976. Më pas ishte te Dinamo e Pançevës, deri në vitin 1980. Dy vjet të tjera i kaloi te Zvezda, ndërsa te kjo skuadër ishte kthyer edhe në vitin 1985, pas largimit nga Barcelona. 68-vjeçari jeton në Spanjë tashmë. Ai ka punuar një kohë edhe si trajner hendbolli. Barcelonën e kishte udhëhequr si lojtar drejt trofeut të parë evropian në vitin 1984.

“Është vetëm rastësi që Fejzula është sëmurur në të njëjtën kohë me Maradonën. Rasti i Fejzulahit nuk ka të bëjë asgjë me rastin e Maradonës. Hepatiti i lojtarit jugosllav është i tipit B, më serioz sesa ai i Maradonës, i tipit A. Ndonëse dallimi nuk është shumë i rëndësishëm, Fejzula duhet të pushojë dy apo tri javë më shumë sesa lojtari argjentinas”, kishte shkruar “El Pais”, duke u thirrur në burime brenda FC Barcelonës.

Në kuadër të FC Barcelona funksionojnë edhe skuadrat e sporteve të tjera. Ndër të tjerash, funksionon edhe skuadra e hendbollit, që është shumë e suksesshme.

Për Petritin, fotografitë me Maradonën mbesin unike. Të tilla ishin edhe jeta e karriera e të papërsëritshmit Maradona.