Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, takoi sot ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko, të cilit iu ankua për qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në dialogun Kosovë-Serbi.

Sikurse edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq edhe Petkoviq pretendon se Kurti refuzoi të pajtohet me çështjen e të pagjeturve dhe me përmbajtjen nga veprimet që kërcënojnë stabilitetin në rajon, ndonëse, dje, para gazetarëve, kreu i ekzekutivit kosovar, i quajti gënjeshtra këto deklarata.

“Petkoviq vuri në dukje se Prishtina tregoi papërgjegjësi ekstreme në Bruksel dje, duke refuzuar të pajtohet me dy pikat kryesore të draftit të BE-së, të cilat i referohen intensifikimit të përpjekjeve për të gjetur personat e zhdukur të mbetur, si dhe përmbajtjes nga veprimet e njëanshme që do ta destabilizonin situatën.”

“Të gjitha përpjekjet e Albin Kurtit çuan në pengimin e bisedimeve dhe kishin për qëllim provokimin e palës serbe për të pezulluar negociatat, por Beogradi edhe një herë ka treguar përgjegjësi dhe përkushtim ndaj dialogut dhe marrëveshjes’”, citohet të ketë thënë Petkoviq në takim, sipas deklaratës për media të publikuar nga zyra që ai udhëheq.

Në këtë deklaratë po ashtu thuhet se Petkoviq theksoi shqetësimin e madh për situatën që pretendon se është në Kosovë, si dhe për mënyrën e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Sipas Petkoviq, Beogradi do të mbetet vazhdimisht i përkushtuar për të vazhduar dialogun, ndërsa thuhet se pala serbe do të këmbëngulë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe në arritjen e një kompromisi.

Petkoviq i ka thënë ambasadorit rus se Rusia mbetet miku më i madh i Serbisë, duke e falënderuar për mbështetjen që Moska ia jep Beogradit.