David Philips, drejtor i Institutit për të Drejtat e Njeriut dhe Paqes në universitetin “Columbia” të New Yorkut ka thënë se marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk janë zbatuar plotësisht.

“Ka pasur shumë diskutime në Bruksel, mbi 30 marrëveshje janë arritur, këto marrëveshje nuk janë zbatuar plotësisht. Serbia ka hyrë në këtë dialog për mos bërë zgjidhje. Kjo lojë e gjatë po mbaron, janë shumë çështje emocionale në Kosovë që duhet të adresohen”.

Si çështje emocionale Philips ka përmendur personat e pagjetur nga lufta. Sipas tij kjo çështje nuk do te duhej të diskutohej në fund të dialogut por në fillim të tij.

“Kam disa pyetje për kredibilitetin e BE-se. Nëse BE-ja ka synim të ndihmojë Kosovën, çfarë ka ndodhur me liberalizimin e vizave? Vetëm SHBA-ja ka fuqinë të shtyjë përpara një marrëveshje dhe t’i dërgojë mesazh të qartë Beogradit që mjaft është mjaft” ka thënë ai.

Philip është pyetur nëse ka rrezik që mundësia e përfshirjes direkte të SHBA-së në dialog mund të nxisë një kërkesë të tillë edhe nga Rusia e Kina.

Philips duke iu referuar Rusisë ka thënë se në dialog nuk ka vend për një shtet i cili nuk respekton ligjin ndërkombëtar.