Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po vazhdon ende të lëshojë deklarata kërcënuese ndaj Kosovës.

Së fundi, këtë e bëri gjatë vizitës në Kraljev, ku theksoi se puna e shtetit është të luftojë me njerëzit e tij në Kosovë, të mbrojë vendin e tij dhe të mos prekë askënd tjetër.

Vuçiq në mënyrë indirekte po tregon se ideja për të marrë Kosovën, qoftë edhe me luftë, ende ekziston.

“Le të shkojmë më fort dhe më shpejt, dhe vetëm me mbështetjen tuaj ne mund ta bëjmë këtë. Le të luftojmë së bashku, për të treguar se kemi shumë më tepër energji pozitive sesa energjia e tyre negative, dhe që Serbia të jetë më e pasur dhe madje edhe më e fortë”, tha presidenti serb.

Këtë deklaratë kërcënuese të Vuçiqit e kanë komentuar deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli dhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Humolli: Një siklet i madh e ka kapluar politikën shovene serbe!

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmir Humolli, deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për luftë me Kosovën e ka cilësuar si një siklet të madh që e ka kapluar politikën serbe.

Ai përmendi planin e mobilizimit të popullit serb, nga udhëheqësit e këtij shteti, kundër popullit shqiptar.

“Kemi të bëjmë me një siklet të madh që e ka kapluar politikën shovene serbe. Kjo politikë ka investuar shumë që ta mobilizoj popullin serb kundër popujve të Ballkanit e veçanërisht kundër popullit shqiptar. Ata e dinë fort mirë se nuk ja kanë arrit që të bëjnë luftëtarë serb kundër popujve tjerë vetëm me mobilizim”, është shprehur Humolli.

Tutje, anëtari i për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes potencoi se ky lloj i mobilizimit ka rezultuar i pasuksesshëm. Duke shtuar, se të gjitha këto deklarata provokuese dhe kërcënuese nga shteti serb bëhen me qëllim që KFOR të qëndrojë ende në Kosovë.

“Mobilizimi i dhunshëm historikisht është tregu i pa suksesshëm për një luftë afatgjatë. Politika shovene serbe në Beograd e ka pa se KFOR-i mundet me u largu nga Kosova dhe atëherë duhet me u përballë më një komb të organizuar me ushtri dhe me një komb që është i gatshëm me mbrojt dhe me çliru edhe pjesën që sot janë në robëri nga shteti serb. Mu për këtë bëjnë deklarata me qëllim me ndiku që KFOR-i me qëndru ma gjatë”, ka theksuar deputeti i LVV-së.

Ndër të tjera, Humolli tha se kjo politikë shovene në Beograd do të qëndrojë, sat ë qëndrojë KFOR-i në Kosovë.

Ai beson se në momentin që shqiptarët të marrin fatin e vet në dorë, do të bie menjëherë politika shovene serbe.

“Sa të qëndroj KFOR-i në Kosovë, kjo politikë shovene serbe do qëndroj në Beograd. Në momentin që shqiptarët e marrin fatin e vet në dorë, atëherë edhe politika shovene serbe do të bie dhe do demokratizohet edhe Serbia”, ka deklaruar Fatmir Humolli.

Shala: Serbia nuk ka hequr dorë nga krijimi i “botës serbe”

Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, u shpreh se me deklaratat e këtij lloji, presidenti serb po e vërteton se Serbia nuk ka hequr dorë nga krijimi i “botës serb”.

Po ashtu, ai zbuloi planin e operimit serb për të hyrë në Kosovë dhe Mal të Zi.

“Presidenti serb bazuar në disa informacione jo zyrtare shtabi ushtarak dhe i sigurisë, pretendohet që ka të përgatitur edhe një plane operimi për të hyrë në dy shtete siç janë Kosova dhe Mali i Zi.

Pra, deklarimet e tilla vetëm sa e forcojnë bindjen që Serbia nuk ka hequr dorë nga ambicia e saj ideologjike për krijimin e botës së madhe serbe”, ka thënë ai.

Mirëpo, Shala potencoi se Kosova dhe Mali i Zi kanë përparësi nga mbështetja politike dhe ushtarake e SHBA-së dhe NATO-s.

“Por kanë një përparësi sigurie Kosova dhe Mali i Zi, që deri sa ka rezistencë politike të anëtarit të NATO (Malit të Zi), vlerësohet që SHBA-ja përmes ambasadorit të saj në Podgoricë, ka dhënë një mesazh që në rast të cenimit të sigurisë së Podgoricës, do ketë edhe mbështetje ushtarake për Malin e Zi”, ka nënvizuar ai.

Në fund, eksperti i sigurisë kërkoi nga Kosova që në asnjë mënyrë të mos largohet nga rruga e saj bashkëpunuese me Uashingtonin, derisa kërkoi edhe përmbylljen e procesit të transformimit të FSK në FAK.

“Ky veprim i ambasadorit amerikane pas takimit me Presidentin e Malit të Zi, pas shpërthimeve të trazirave në Cetinje jep një mesazh që edhe Kosova assesi nuk bënë të largohet nga rruga e saj dhe duhet të jetë në një linjë të bashkërendimit të veprimeve diplomatike dhe ushtarake me Uashingtonin.
Dhe në anën tjetër të vazhdojë që të investojë në FSK, në përmbylljen e procesit të transformimit të FSK në FAK në një periudhë maksimale 4 vite e jo siç ishte 10 vite”, ka përfunduar Drizan Shala.