Qeveria gjermane synonte në fakt që para dy vitesh të fillojë me mbështetjen e fuqishme të Evropës. Marrëveshja e koalicionit mes Unionit të Merkelit dhe socialdemorkatëve parashikon një “orientim të fuqishëm drejt Evropës”. Marrëveshja e këtillë është arritur në negociatat e atëhershme me ish-kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, në një kohë kur filluan edhe vizionet evropiane të Macronit. Asokohe në rrugët e Gjermanisë mund të shiheshin shumë të rinj me flamuj evropianë.

Qeveria federale ka bërë këto ditë bilancet e gjysmës së mandatit, ku thuhet se shumë gjëra janë arritur. Opozita mendon ndryshe. “Një lojë pikëlluese”, e quan zëdhënësja e ekologjistëve punën e qeverisë në rrafshin evropian, në dy vitet e fundit. Të gjithë në Evropë po presin Gjermaninë dhe sinjalet nga ky vend, thotë Franziska Brantner, në bisedë me Deutsche Wellen.

Qeveria federale ka përgatitur disa gjëra për të ardhmen. “Gjermania do të marrë presidencën e radhës në BE, në gjysmën e vitit 2020 dhe do të insistojë për një zhvillim më të shpejtë brenda BE”. Një ide e mundshme është publikuar në media. Ministri i Jashtëm Heiko Maas thotë se Gjermania do të angazhohet “për një Evropë të fuqishme dhe sovrane”. Fuqizimi i Evropës në skenën ndërkombëtare kërkon fuqizim në fushën e sigurisë, politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe fusha të tjera. Në vendimmmarrje do të përfshihen edhe britanikët, përkundër Brexitit.

Angela Merkel (picture-alliance/dpa/S. Rousseau)
Brexiti dhe pasojat

Një prej propozimeve, të cilat kryetari i Komisionit për Evropë, Gunther Krichbaum (CDU), e kujton si të rëndësishme është që britanikët të vazhdojnë të mbeten shumë të afërt me vendimet në BE. Edhe ekologjistja Franziska Brantner mendon se lidhjet mes Britanisë së Madhe dhe BE duhet të jenë të ngushta edhe pas Brexitit në vitin 2020. Kjo do të jetë një prej sfidave më të mëdha të vitit në politikën evropiane. Por ajo mendon, se kryeministri britanik Boris Johnson do të jetë një negociator i ashpër.