Është bërë e ditur se diplomacia ekonomike bëri bashkë ekspertë shqiptarë dhe polakë për të diskutuar në Konferencën “Shqipëria destinacioni i ardhshëm për Turizëm, Tregti dhe Investime”, të organizuar nga Ambasada e RSH në Varshavë dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë së Polonisë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Polonisë dhe me të ftuar nderi Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit të RSH, Blendi Klosi.

Konferenca u zhvillua në ambjentet e Pallatit të Kulturës dhe Shkencës në Varshavë, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar “TT Warsaw 2019”, ku ishin prezentë më shumë se 60 kompani tur-operatorë dhe sipërmarrës polakë si dhe tur-operatorë, prodhues dhe përfaqësues të kompanive nga Shqipëria. Konferenca u moderua nga Ambasador Jerzy Drożdż, Drejtor për Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Dhomën e Tregtisë së Polonisë.

Ambasadorja Shpresa Kureta hapi punimet e konferencës me një fjalë përshëndetëse, dhe njoftoi lajmin e fillimit të fluturimeve direkte Varshavë-Tiranë të Kompanisë polake LOT, pranverën e ardhshme, për të vijuar më tej me punimet e konferencës në tre panele:

Panelin mbi turizmin, me panelistë kryesorë Ministrin Klosi dhe Presidentin e Dhomës së Turizmit të Polonisë, Paweł Niewiadomski.

Panelin mbi tregëtinë me panelistë kryesorë Enea Hoti, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë; Artur Dąbkowski, Zv/Drejtor i Departamentit për Tregtinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Katarzyna Kwiecień, Drejtore e Departamentit të Mbështetjes së Eksportit, pranë Agjencisë Kombëtare për Mbështetjen e Bujqësisë, të Polonisë.

Panelin mbi investimet me panelistë kryesorë, Dorina Patuzi, Drejtuese e Departamentit After Care në Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA); Robert Kasprzak, Drejtori i Menaxhimit të Produkteve në Bankën Kombëtare të Investimeve të Polonisë dhe Konsulli i Nderit i Shqiërisë në Lodz, Paweł Michalak.

Fokusi i këtij aktiviteti ishtë prezantimi i ofertës shqiptare mbi turizmin, shqyrtimi i mundësive reciproke për ritjen e shkëmbimeve tregëtare dhe investimeve, prezantimi tek audienca polake e produkteve shqiptare si Verë, Vaj Ulliri, Raki, Shegë, Lëng shege, bimë medicinale, etj dhe futja e tyre në tregun polak, dhe organizimi i takimeve B2B.