“Mundësia e padisë për gjenocid, me të cilën politikanët e Kosovës e kërcënojnë Serbinë, ekziston vetëm në kokat e tyre. Në kuptimin juridik një opsion i tillë nuk ekziston as në teori”, ka pretenduar zëvendës drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Igor Popoviq.

Ai pretendon se nuk është regjistruar në historinë e së drejtës ndërkombëtare që “një territor të padisë shtetin e vet”.

“Provokimi, se në fund të vitit të ardhshëm Kosova do të ngrejë padi kundër shtetit të vet, është vetëm një blerje e pasuksesshme e kohës, sepse në Prishtinë ata e dinë që një skenar i tillë fantashkencor është i pamundur dhe ligjërisht i pavlefshëm. Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB, Kosova nuk është, dhe as nuk mund të jetë temë e së drejtës ndërkombëtare dhe sa më shpejt që Prishtina të pranojë realitetin, aq më e sigurt do të jetë mundësia e vazhdimit të dialogut dhe gjetja e një kompromisi”, ka pretenduar Popoviq në një kumtesë.

Ai ka thënë se ata “nuk kanë një politikë të qartë dhe realiste, as vullnet për të ndërtuar një politikë të paqes, por punojnë vetëm në ndezjen e pasioneve separatiste dhe eksremiste”.

“Fuqia e argumenteve dhe e drejta ndërkombëtare është në anën e Beogradit prandaj është e kotë që Prishtina po zhvillon betejat e humbura paraprakisht. Sigurisht që ka mënyra më të dobishme për të shpenzuar para, siç është blerja e vaksinave dhe imunizimi i popullsisë, në vend të  kuazi-betejave juridike të cilat dihet se do të humben”, ka pretenduar Popoviq