Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të Republikës së Kosovës, ku dy komuna atje janë duke respektuar masat për karantinim të vendosura nga Beogradi.

Thaçi ka thënë se një situatë e tillë e krijuar në komunat e veriut është e papranueshme dhe është rrjedhojë e ngelizhencës së Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur ata njerëz dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai tutje ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk guxon që të lejojë që pjesa veriore të funksionojë nën direktivat e Beogradit, duke qenë se kështu i krijohet hapësirë Serbisë që të veprojnë brenda territorit të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tone”, shton presidenti.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet të sigurohet që të gjitha masat e marra të respektohen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Të gjitha masat e ndërmarra nga institucionet shëndetësore dhe ato të rendit e ligjit, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka për detyrë të sigurohet që të zbatohen anekënd territorit të Republikës së Kosovës.Si President i Republikës së Kosovës jam duke e përcjellë me shumë shqetësim situatën e krijuar në veriun e Republikës së Kosovës.I bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’i përmbushë përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve tanë, të të gjitha komuniteteve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. “, ka përfunduar Thaçi.