Edhe pse ka pak ditë që u zgjodh në krye të shtetit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka qenë cak i kritikave dhe akuzave nga kundërshtarët e saj politik.

Këto reagime erdhën pasi presidentja Osmani në një postim për përvjetorin e Betejës së Koshares, nuk e përmendi UÇK-në.

Kjo ka mjaftuar, që të gjithë kundërshtarët e saj politik t’i ‘vërsulen’ asaj me akuza dhe linçime të llojeve më të ndryshme. Më të zëshmit në këtë debat ishin zyrtarët dhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Vetëm pse njëherë nuk e përmendi UÇK-në presidentja Osmani, ata erdhën në konkluzione se ajo nuk e mbështet dhe nuk e njeh luftën e Ushtrisë Çlirimtare të vendit.
Mirëpo, presidentja e vendit nuk qëndroi e heshtur përballë këtyre akuzave dhe kritikave të partive opozitare dhe analistëve të ndryshëm, të cilët e atakuan atë.

Ajo përmes një video dhe shkrimi të postuar në rrjetin social Facebook, ua mbylli gojën të gjithëve, duke thënë se lufta e drejtë e UÇK-së më së shumti nderohen kur ne punojmë mirë e drejtë për të gjallët dhe e ndërtojmë shtetin tonë mbi idealet që i kishin luftëtarët e lirisë.

“Prekazi, Likoshani, Qirezi, Gllogjani, Loxha, Llapushniku, Vërrini, Tabet e Llapashticës, Shala e Bajgorës, Kosharja e Pashtriku, si dhe gjithandej në Kosovë ku Ushtria jonë Çlirimtare luftoi, janë frymëzimi ynë, burim i krenarisë dhe dhimbjes për të gjithë djemtë dhe vajzat e Kosovës që humbëm në luftën për liri. Por, nuk është hera e parë që bëhet një luftë speciale e ndërtuar mbi të pavërteta, sikur kjo e ditës së djeshme. Si çdoherë, po e përsëris, lufta e drejtë e UÇK-së, të gjithë dëshmorët e martirët, më së shumti nderohen kur ne punojmë mirë e drejtë për të gjallët dhe e ndërtojmë shtetin tonë mbi idealet që i kishin luftëtarët e lirisë dhe të gjithë ata që dhanë jetën për shtetin që e gëzojmë”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike në prononcimet për gazetën “Bota sot”, i cilësuan akuzat ndaj Vjosa Osmanit si të papranueshme dhe të pakuptimta.

Sipas tyre, presidentja Osmani çdoherë i ka dalë në mbështetje luftës së UÇK-së, për dallim nga udhëheqësit e kaluar të cilët në emër të saj u pasuruan.

Mehazi flet për akuzat e partive opozitare ndaj presidentes Vjosa Osmani, tregon çfarë fshihet pas tyre

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar akuzat dhe kritikat e partive opozitare ndaj presidentes Vjosa Osmani për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Mehazi këto akuza i cilësoi si zhurma partiake të partive opozitare, pasi është jo bindëse dhe argumentuese të thuhet se Presidentja e Kosovës është kundër UÇK-së.

“Akuzat e partive opozitare ndaj presidentes Vjosa Osmani s’janë asgjë tjetër, përveç zhurmave partiake opozitare para mediave. Është e pabesueshme, jo bindëse e jo argumentuese të thuhet se Vjosa Osmani është kundër UÇK-së, nuk ka qytetar shqiptar në botë që është kundër UÇK-së e jo Presidentja e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas profesorit, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pas humbjes në zgjedhjet parlamentare, nuk iu ka mbetur asgjë vetëm të bëjnë akuza ndaj presidentes Osmani dhe të nënçmojnë 300 mijë votuesit e saj.

“Pas humbjes e shkuarjes në opozitë, PDK-së e AAK-së, s’u ka mbetur gjë përveç që të arsyetohen me UÇK-në duke akuzuar presidenten të nënçmojnë indirekt edhe 300, 000 votuesit e Vjosa Osmanit. PDK-ja e Hoxhajt, AAK-ja e Haradinajt duhet ta dinë, se qytetarët e Kosovës që votuan Albin Kurtin e Vjosa Osmanin nuk kanë mohuar UÇK-në, por kanë shprehur pakënaqësi ndaj komandantëve politikë të këtyre partive, të cilët nuk ishin në gjendje të bënin më të thjeshtën, liberalizimin e vizave të qytetarëve, përkundrazi, partitë opozitare të komandantëve të UÇK-së, PDK e AAK, s’kanë të drejtë të shprehin kritika e akuza ndaj Vjosa Osmanit e Albin Kurtit po dhe ndaj qytetarëve që kanë votuar LVV-në e listën “Guxo””, ka theksuar ai.

Tutje, Mehazi kërkoi nga partitë opozitare të ju falënderohen qytetarëve të Kosovës që iu dhanë mundësinë të qeverisin për njëzet vjet dhe i lejuan të pasurohen fuqishëm.

“Ata duhet ta pranojnë pozitën e tyre opozitare dhe të ju falënderohen qytetarëve të Kosovës që njëzet vjet radhazi ua kanë mundësuar jo vetëm të udhëheqin Republikën e krijuar të Kosovës nga ata, por lejuan që të pasurohen fuqishëm e pa kufij”, ka nënvizuar Mehazi.
Në fund, profesor Mehazi ka potencuar se për shkak të UÇK-së i votojë për dy dekada komandantët e saj të PDK-së dhe AAK-së, tani ata do të rrinë në opozitë.

“Qytetarët e Kosovës për shkak UÇK-së, Thaçin e Haradinajn njëzet vjet radhazi i shpërblyen me pushtet, mirëpo për fat të keq asgjë s’bënë për Republikën e Kosovës, përveç pasurisë e zhvatjes së saj. Pra, populli i mençur i Kosovës për shkak UÇK-së i votoi radhazi dy decenie komandantët e UÇK-së të PDK-së e AAK-së, boll, tani le të rrinë në opozitë”, ka përfunduar Sulejman Mehazi.

Halili: Të papranueshme dhe të pakuptimta akuzat ndaj presidentes Vjosa Osmani

Kurse, anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, Nijazi Halili foli për kritikat e drejtuar ditëve të fundit ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Halili tha se është e pakuptueshme dhe e papranueshme se si paragjykohet presidentja Osmani, për mos mbështetjen e saj ndaj UÇK-së.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në përkujtim të 22 vjetorit të Betejës së Koshares, nuk e ka përmendur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjë e cila ka ngjallur shumë reagime dhe debate të shumta në vend. Ne, jemi dëshmitar te kohës se presidentja e vendit Vjosa Osmani, ishte kandidatja më e votuar në historinë e zgjedhjeve në vend, kjo rezulton se presidentja besimin e plotë e ka marrë te masa e gjerë popullore, andaj nuk ka as një arsye të paragjykohet se Presidentja Vjosa Osmani, nuk është mbështetës e UÇK-së, kjo për mendimin tim është e papranueshme dhe e pakuptimit”, ka deklaruar ai.

Në vazhdim, anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA u shpreh se Kosova i ka 1100 probleme që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, prandaj nuk është koha që të merremi me paragjykime të këtij niveli.

“Shtrohet pyetja? A nuk kemi sy me pa e mend me mendu se me çfarë situate është duke u përballur vendi. A nuk i kemi 1100 probleme të cilat e kanë ngulfatur këtë vend sot e njëzet vite, e që kërkojnë zgjidhje urgjente. Nuk është koha të merremi me paragjykime, prioritet i shtetit tonë është luftimi i pandemisë, lufta kundër korrupsionit, rimëkëmbja ekonomike, dialogu etj. Ti lëmë paragjykimet, injorancën, gjuhën e urrejtjes, çka është mjaftë, mjaftë me paragjykime dhe gjuhën e urrejtjes, është humbur shumë energji si pasojë vendi ka ngecur në rrugë pa krye”, ka theksuar Halili.

Në fund, ai tha se Kosova tani i ka formuar institucionet e saj dhe tani duhet të respektohen ato. Halili tha se tani vendi ynë duhet të përballet vet me detyrat dhe përgjegjësit e saj dhe nuk duhet pritur më nga ndërkombëtarët.

“Mendimi im është se tani vendi ynë i ka institucionet e formuara nga vullneti i popullit, prandaj edhe duhet të respektohen sepse tjetër zgjidhje nuk ka, mjaft kemi pritur nga ndërkombëtarët, tani detyrat dhe përgjegjësit qe dalin para nesh duhet te mësohemi ti kryejmë vetë të pavarur, kur dihet se e para e vendit Presidentja e Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Vjosa Osmani, është një personalitet i shkolluar dhe edukuar në SHBA, andaj të gëzojmë respekt dhe mbështetje që proceset të ecin në drejtimin e duhur”, ka përfunduar Nijazi Halili