Gjashtë thasë çimento, rërë, poliester dhe ngjyra, janë materialet që i kanë hyrë në punë autorit të shtatores së Adem Jasharit që ta rrumbullakojë veprën. Sa u përket veglave të punës, mistria ka qenë kryesorja.

Kësisoj, për tre muaj punë pas orarit të rregullt si frizer, gjakovari Alban Buxhovi ka përfunduar shtatoren prej gati tri metrash, që është përuruar të shtunën në ambientet e qendrës tregtare “Abi Çarshia” në Prizren. Kjo shtatore bashkë me atë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut janë përuruar në të njëjtën ditë, të shtunën e 28 Nëntor. Sapo u zbuluan, kanë nxitur alamet reagimesh publike. Shpejt është kërkuar largimi i tyre.

Megjithëse njëra është në hapësirë private, është vlerësuar se nuk është bërë trajtim i denjë i heroit Adem Jashari. Autorët e dy shtatoreve, në prononcimet për KOHËN, kanë mbrojtur veprat e tyre.

Përderisa ai i shtatores së Adem Jasharit thotë se për pasion ka punuar shtazë e shpezë si skulptura dhe se nuk është skulptor, ai i së dytës e mbron veprën duke këmbëngulur se shtatorja e punuar nga ai e paraqet heroin kombëtar shumë më të ri. Por asnjëri nuk zmbrapsen.

Thonë se e arsyetojnë veten. Shtatorja për komandantin e punuar “në kohë të lirë” Alban Buxhovi (40) thotë se ka një arsye se pse vepra e tij u kritikua fort. Sipas tij, në rrjete sociale është shpërndarë një fotografi kur shtatorja nuk ishte e përfunduar. “Ka qenë pozitë e keqe dhe ishte fillimi kur po i provonim ngjyrat. Kam punuar gati tre muaj aty. I kam hyrë asaj pune me shumë vullnet, sakrificë dhe mund”, ka thënë ai. Ka treguar se në kohën e lirë merret me me skulptura, pasi është pasionant.