Uashington, 25 gusht – SHBA-ja dëshiron marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Kosovës e Serbisë dhe këtë do të provojnë ta arrijnë në takimin e 4 shtatorit në Uashington. Kështu vlerësoi profesori i Shkollës Ekonomike të Londrës (LSE) James Ker Lindsay, duke shtuar se për këtë arsye pret presion të madh ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas James Ker Lindsay përpjekja e serishme e SHBA që të ndërmjetësojë në negociata është pasojë e fushatës parazgjedhore në Amerikë, porse Serbia duhet të shfrytëzojë angazhimin amerikan, meqë oferta europiane për Kosovën ndoshta nuk do të jetë e njëjtë.

“SHBA do të dëshironin marrëveshje madhore politike dhe jo bisedime për ekonominë, siç dëshiron Beogradi. Marrëveshja ekonomike votuesit amerikanë do t’i linte indiferentë, ndërsa marrëveshja e madhe politike do të ishte mesazh se në Ballkan ka problem dhe se është zgjidhur nën liderizmin e SHBA-ve, se Amerika ka arritur marrëveshje të madhe që Europa nuk ka mundur dhe kjo është ajo që i duhet Trumpit”, është shprehur Ker Lindsay.

Ai ka thënë se mund të ndodhë që Trumpi të pranojë edhe marrëveshjen ekonomike, meqë më mirë diçka se asgjë, por amerikanët do të donin të arrihet marrëveshje gjithëpërfshirëse, diçka përfundimtare.

“Amerikanët do t’i thonë Vuçiqit se është në pozitë më të mirë se asnjëherë, se tani është momenti ideal që të arrijë marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën dhe se do t’i jetë falënderues nëse e bën këtë gjë, prandaj mendoj se do të bëhet presion i madh ndaj tij. Ai udhëton për të biseduar për ekonominë, por ndoshta mund t’i thonë – ta nënshkruajmë edhe atë marrëveshje të madhe derisa je këtu”, është shprehur James Ker Lindsay.

Sipas fjalëve të tij Beogradi ndodhet në një pozicion të fuqishëm, porse njohja e Kosovës është qëllimi përfundimtar, dhe ky është një realitet dhe kushdo që e shikon këtë seriozisht e din se nuk ka alternativë.

“Dhe ky është një mesazh i rëndë. Serbia, thënë sinqerisht, deri tash ka luajtur shumë me mençuri diplomatike, ia ka dalë të pengojë pranimin e Kosovës në OKB. Beogradi po hyn në këto bisedime nga një pozicion i fuqishëm, por kjo nuk do të thotë se mund ta ndryshojë situatën dhe të arrijë marrëveshje sipas të cilës Kosovës i lejohet autonomia” ka thënë Ker Lindsay.

“Tani jni në pozicionin më të mirë të mundshëm që të arrini marrëveshje që do të jetë e mirë edhe për ju…Ky nuk është potez popullor, por tani është momenti i vërtetë. Alternativa është shtyrja për pesë vjetët e ardhshme kur jeni më afër anëtarësimit në BE dhe atëherë Serbia do të zgjedhë nëse do të pranojë Kosovën ose jo. Më mirë është që marrëveshja të arrihet tash, ndërsa gjatë pesë vjetëve të ardhshme të koncentroheni në hyrjen në Bashkimin Europian. Pres që ky do të jetë mesazhi për Serbinë”, është shprehur profesori britanik.