Qazim NAMANI, Dr. Arkeologji/Trashëgimi Kulturore
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Prishtinë

vijon nga pjesa e parë

Hulumtim empirik lidhur me njohuritë e qytetarëve të Prishtinës për monumentet kulturore dhe historike

Në Kosovë deri me tani nuk ka pasur ndonjë projekt për vetëdijesimin e masave të gjera të popullatës për rolin e objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore në zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit.
Pas rrënimit të ekonomisë së Kosovë gjatë luftës së viteve 1998/99, kjo ka ndikuar që shumë qytetarë pas luftës të ballafaqohen me kushte të rënda ekonomike, andaj edhe nuk posedojnë informata lidhur me zhvillimin e turizmit rural.
Vizitat e pakta monumenteve të trashëgimisë kulturore të organizuara nga institucionet kanë ndikuar që qytetarët e Kosovës pas mbarimit të shkollave të mesme në të shumtën e rasteve kanë pasur rastin të vizitojnë ndonjë monument kulture gjatë vizitave familjare dhe shumë pak prej tyre kanë bërë vizita turistike me qëllim për të përjetuar një shije dhe kënaqësi të dëshiruar.
Për të pasur një pasqyrë më të qartë kam menduar që anketa me qytetarë të zhvillohet në tregun e perimeve duke e ditur se aty frekuentojnë të gjitha shtresat e popullatës dhe me arsimtarë të lëndës së historisë në shkolla të mesme dhe fillore me qëllim që roli i arsimimit për rëndësinë e objekteve dhe monumenteve të kulturës në zhvillimin e turizmit. Anketa me qytetarë është realizuar gjatë vitit 2013.
Sa i përket njohurive të qytetarëve, lidhur me rolin e trashëgimisë kulturore në zhvillimin e turizmit, kam intervistuar një numër prej 60 qytetarësh nga grupe moshash të ndryshme në tregun e Prishtinës, të cilët kanë shprehur mendimin e tyre. Pyetjet që iu parashtruan qytetarëve ishin:
1. Në pyetjen nr. 1 – Sa keni njohuri për kështjellat, qytetet antike dhe mesjetare në Kosovë?, Nga numri i përgjithshëm i të anketuarve prej 60 qytetarësh, 38 (63%) të anketuar pohojnë se e kanë vizituar apo edhe kanë dëgjuar për ndonjë kështjellë apo qytet antik mesjetar në Kosovë edhe atë kryesisht përmendin Kalanë e Artanës dhe Kalanë e Prizrenit, ndërsa 22 (37%) të anketuar pohojnë se nuk kanë njohuri (nuk shprehin interesim për të folur për këtë temë).

2. Në pyetjen nr. 2 – Ku shtrihet qyteti antik Ulpiana?, 53 (88%) të pyetur përgjigjen se qyteti antik i Ulpianës shtrihet në lagjen e sotme Ulpiana të qytetit të Prishtinës dhe vetëm 7 ose 12% të intervistuarve japin përgjigjen duke pohuar se qyteti antik i Ulpianës shtrihet afër Graçanicës.

3. Në pyetjen nr. 3 – A e keni vizituar ndonjëherë Kështjellën e Artanës?, nga numri i përgjithshëm i të anketuarve (60), 49 qytetarë ose 82% përgjigjen se asnjëherë nuk e kanë vizituar Kështjellën e Artanës. Përderisa, 11 qytetarë ose 18% të tyre pohojnë se e kanë vizituar Kështjellën e Artanës, me ç’rast 7 (64%) prej tyre e kanë vizituar Kështjellën e Artanës me familjarë sepse kanë atje lidhje familjare, ndërsa 4 (36%) qytetarë e kanë vizituar nga kureshtja për të parë atë vendbanim të rëndësishëm (Fig. 3 dhe Fig. 4).

4. Në pyetjen nr. 4 – A e keni vizituar ndonjëherë Kalanë e Prizrenit?, kemi siguruar këto përgjigje: nga numri i përgjithshëm i të anketuarve 37 qytetarë ose 62% përgjigjen se nuk e kanë vizituar Kalanë e Prizrenit, kurse 23 ose 38% e kanë vizituar Kalanë e Prizrenit. Nga ky numër (23) i qytetarëve të cilët e kanë vizituar Kalanë e Prizrenit, 17 (74%) prej tyre kanë vizituar në mënyrë të organizuar, ndërsa 6 (26%) qytetarë e kanë vizituar me familjarë (Fig. 5 dhe Fig. 6).

5. Në pyetjen nr. 5 – A keni vizituar ndonjë urë të gurit në Kosovë, 49 të anketuar të pyetur ose 82% përgjigjen se e kanë vizituar ndonjë urë të gurit, ndërsa 11 të anketuar ose 18% nuk kanë pasur rastin të vizitojnë asnjë urë të gurit në Kosovë.

Hulumtimi empirik përveç në Prishtinë u zhvillua edhe në qendrat tjera të Kosovës: Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Dardanë dhe rezultatet e hulumtimit do të prezantohen në pikën 2.
2- Hulumtimi empirik në pesë qendra të Kosovës
Arsyeja e hulumtimit ishte ekskluzivisht për qëllime studimore. Pyetësori është përdorur vetëm për qëllime të studimeve se sa kanë njohuri qytetarët për monumentet e trashëgimisë kulturore.

– Metodologjia e hulumtimit është bazuar në metodën primare të anketimit dhe bisedimit.
– Si mostër janë pyetur 80 qytetarë nëpër 5 qendra të Kosovës.
– Në pesë qendra të Kosovës janë pyetur 12 profesorë të lëndës së historisë.
– Koha e anketimit ka zgjatur nga 15 prilli 2013 deri më 20 qershor 2013.

Anketat me qytetarë janë bërë në tregjet e qyteteve, kryesisht me punëtorë tregu të pa arsimuar dhe me shkollë të mesme. Përderisa, anketat me profesorë të historisë janë realizuar nga mësimdhënës në shkolla fillore dhe të mesme në pesë qytete të Kosovës.

Qëllimi i këtij hulumtimi ishte të kuptohet se sa janë të informuar qytetarët për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe historike të Kosovës, në raport me mësimdhënësit e lëndës së historisë.
Nga anketa e zhvilluar është synuar të kuptohet edhe rëndësia e promovimit të vlerave kulturore në plan programet shkollore, publikimet shkencore si dhe medieve të informimit elektronik.

Pyetja nr. 1. A mendoni se është shumë e nevojshme që Kosova të bëjë promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike përmes konceptit marketing?

Siç shihet nga tabela nr. 7 nga numri total i 80 të anketuarve në pesë qendrat rajonale në Kosovë, 84 % (67), të anketuar përgjigjen se është e nevojshme që Kosova të bëjë promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike përmes konceptit marketing, kurse 16% (13), përgjigjen: nuk e di. Sa i përket profesorëve të anketuar, të gjithë anketuarit ishin të mendimit se është e domosdoshme të bëhet promovimi i trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë.

Pyetja nr. 2. A jeni të kënaqur me promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë?

Në pyetjen nr. 2: A jeni të kënaqur me promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë? Nga numri i përgjithshëm i qytetarëve të anketuarve, 72% (58) deklarojnë se janë të kënaqur për sa i përket promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë, 19% (15), përgjigjen se janë të kënaqur dhe 9% (7), japin përgjigjen: nuk e di.

Pyetja nr. 3. A mendoni se përmes marketingut dhe publikimeve do të ishte bërë kthesë e madhe për njohjen e trashëgimisë kulturore dhe historike dhe zhvillimin e turizmit në Kosovë?

Në pyetjen nr. 3 – A mendoni se përmes marketingut dhe publikimeve do të ishte bërë kthesë e madhe për njohjen e trashëgimisë kulturore dhe historike dhe zhvillimin e turizmit në Kosovë? Nga numri total i të anketuarve (80), 42% (34), përgjigjen se kjo do të ndikonte shumë në ngritjen e vetëdijes për sa i përket njohjes së trashëgimisë kulturore dhe historike dhe zhvillimit të turizmit në Kosovë. Nga të anketuarit 40% (32), mendojnë se marketingu dhe publikimet do të ndikonin pjesërisht në njohjen e trashëgimisë kulturore dhe historike dhe zhvillimin e turizmit në Kosovë. Përderisa, 18% (14), përgjigjen: nuk e di.

Duke u bazuar në gjendjen faktike në terren del se gjendja e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore është e rëndë si pasoj e mungesës së infrastrukturës, gjendjes fizike të tyre dhe politizimit të trashëgimisë kulturore.
Duke u bazuar në hulumtimin vijmë në përfundim se mos promovimi i duhur i turizmit dhe monumenteve të kulturës, gjendja e rënd ekonomike e popullatës dhe niveli i ulët i arsimimin ka ndikuar që qytetarët të mos kenë njohuri për shumë monumente pasi që shumë pak prej tyre kishin pasur rastin ti vizitonin.
Si përfundim nga hulumtimi im për gjendjen, pengesat e shumta dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit shkaktarët kryesor janë politizimi i monumenteve të kulturës, mungesa e promovimit dhe infrastrukturës deri te monumentet dhe pasuritë e trashëgimisë natyrore. Nga ajo që është trajtuar në këtë punim mund të them se është nevoje mese e domosdoshme dhe koha e fundit që të evitohen dobësitë që e pengojnë zhvillimin e turizmit si degë e rëndësishme ekonomike në vendin tonë.