Shtetet e QUINT-it, nuk kanë pranuar të jenë ndërmjetësues në marrëveshjen mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

Përmes një deklarate të përbashkët, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, kanë bërë të ditur se nuk mbështesin asnjë subjekt apo kandidat të veçantë në negociatat politike që po zhvillohen, raporton KTV.

Aty shtohet se përgjegjësia për krijimin e Qeverisë, bie mbi liderët që kanë fituar zgjedhjet dhe popullin e Kosovës.
“Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje, është i pasaktë… Përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqendrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e shteteve të QUINT-it.

Por, Vetëvendosja ka mohuar se QUINT-i u ftua të ndërmjetësojë, por sipas tyre kjo u bë vetëm si ndihmues eventual që, sipas tyre, edhe kishin shprehur gatishmëri për një gjë të tillë.

Sekretari për media në këtë parti, Erzen Vraniqi, tha se pajtimi për këtë ishte i dyanshëm edhe me partinë e Isa Mustafës.

“Në fund të takimit të mbrëmshëm ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, kishte dakordim që sot ose nesër të ftohen në takim edhe ambasadorët e Quint-it si dhe Shefja e Misionit të BE-së në Kosovë. Kjo është konfirmuar edhe në komunikimin me tekst që ka pasur kryetari i LVV Kurti me kryetarin e LDK Mustafa mbrëmë në ora 19:30. Kjo është bërë me qëllim të heqjes së çfarëdo dyshimi tek ambasadorët mbi pajtimin e dy palëve për pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimin e sotëm. Ata nuk janë menduar asnjëherë si ndërmjetësues, por vetëm si ndihmues eventualë për çfarë vetë e kanë shprehur gatishmërinë”, ka thënë Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Por, mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti, dikur ironizonte me Hashim Thaçin për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në formimin e Qeverisë mes PDK-së e LDK-së.
“Hashim Thaçit i intereson se kjo ndërhyrje të jetë prej ndërkombëtarëve, prej ambasadorëve, prej të huajve për kompromis. Ai nuk po thotë më se i ka numrat, por po kërkon qeveri gjithëpërfshirëse. Neve na intereson që ndërhyrjen jashtë parlamentare ta bëjnë qytetarët”, thoshte Kurti nëntorin e 2014-ës.

Analisti politik, Artan Muhaxheri, thotë se ftesa që në këtë takim të ishin të përfshirë ndërkombëtarët është bërë më shumë që palët ta shfajësojnë veten nga dështimi eventual për krijimin e Qeverisë.

E qasjen e Lëvizjes Vetëvendosjes ndaj ndërkombëtarëve e ka kritikuar edhe shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.

Pas dështimit të takimit të së hënës, Vetëvendosje njoftoi se palët janë pajtuar që takimi i radhës të zhvillohet edhe me ambasadorët e QUINT-it në Prishtinë, si dhe me shefen e Misionit të BE-së.