QËNDRIMI I SHTETIT SHQIPTAR DHE I UDHËHEQJES SË TIJ NDAJ NGJARJEVE TË KOSOVËS (1981-1989)
Shkruan Prof. Zymer Mehani
Pjesëmarrja e fuqishme dhe masovike e shqiptarëve në demonstratat e organizuara brenda viteve 1981- 1989 e shqetësuan mjaft shumë Shqipërinë, ish-Jugosllavinë, vendet e Ballkanit, por edhe vetë Evropën, pasi asnjëherë nuk kishin llogaritur se shqiptarët në ish-Jugosllavi mund të protestojnë aq fuqishëm e në këtë mënyrë.

Për Shqipërinë këto ngjarje ishin tepër shqetësuese për faktin se në Jugosllavinë e asaj kohe jetonin gati gjysma e popullsisë shqiptare në Ballkan. Prandaj me të drejtë Shqipëria ishte e shqetësuar për demonstratat e vitit 1981 dhe ndërhyrjet ushtarake e policore të ish-Federatës Jugosllave, kundër shqiptarëve në Kosovë, që kërkonin të drejtat e veta elementare, të drejta të barabarta me popujt tjerë në ish-Jugosllavi.

Për shkaqet themelore të krizës në ish-Jugosllavi, që në këtë rast ishte Kosova, ish-kryetari i Shqipërisë, Enver Hoxha e konsideronte se ishte diskriminim i statutit të Kosovës dhe shqiptarëve, niveli i prapambetjes ekonomike në Kosovë dhe pjesët tjera shqiptare në Jugosllavi, shkeljet e të drejtave të njeriut, të drejtave arsimore e kulturore të popullit shqiptar nga vetë Federata Jugosllave. (1 Dokumente sekrete të CIA-së për Kosovën, qëndrimi i Shqipërisë, për Kosovën, Koha Ditore, 21. 2. 2005, f.8).

Shkeljet e të drejtave kombëtare e njerëzore kundër shqiptarëve, ushtrimi i dhunës dhe represionit të vazhdueshëm fizik, psikik, mbi popullin shqiptar në Kosovë, duke përdorur mekanizma për shfarosjen apo pastrimin etnik të shqiptarëve që bënë Jugosllavia kundër tyre.( Po aty).

Në ditarin e vet sekret, Enver Hoxha shkruante se faktori shqiptar në ish-Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë ka qenë faktori më i përbuzur politikisht e ekonomikisht, po ashtu kishte gjendje të rëndë në arsim e kulturë, por faktori shqiptar ka qenë më i durueshmi e më i dëgjuari, por edhe më i zgjuari dhe njëkohësisht më realist në kaosin politiko-ekonomik , ku ishte zhytur Jugosllavia pas Luftës së Dytë Botërore, ishte Kosova.( Lisen Bashkurti, Diplomacia e Vetëizolimit, Tiranë, 2004, f, 600).

Shqipëria më 8 prill 1981 përmes Tiranës zyrtare dhe gazetës zyrtare të saj ‘Zëri i Popullit’, e shprehu qëndrimin e vet politik zyrtar për demonstratat dhe ngjarjet në Kosovë. Me këtë rast, Shqipëria zyrtare dënoi ashpër përdorimin e dhunës policore e ushtarake të ish-Jugosllavisë kundër popullit shqiptar.

Ndërsa i gjithë populli shqiptar, doli në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar në Kosovë, duke u solidarizuar me demonstratat dhe kërkesat e tyre për Republikën e Kosovës.( Po aty ). Në krye të politikës shqiptare për mbrojtjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi priu ish-udhëheqësi i Republikës Popullore të Shqipërisë, Enver Hoxha(Enver Hoxha, Ditari politik për çështje ndërkombëtare 1980-1981, për përdorim të brendshëm ) i cili asnjëherë nuk pranonte që Shqipëria kishte ndërhyrë e as ishte nxitëse e provokuese për çështjen e Kosovës.

Shqipëria respektonte parimet e Kombeve të Bashkuara për shtetet sovrane dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme të shteteve të tjera, pra s’po ndërhynte as në punët e brendshme të ish-Jugosllavisë. Por mes tjerash, Enver Hoxha konsideronte se shteti shqiptar nuk mund të rrinte duarkryq dhe të pranonte heshtur kur shkeleshin, dhunoheshin e maltretoheshin shqiptarët përtej kufirit shtetëror nga një shtet fqinj, që kishte nënshkruar Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut.( Dokumentat e CIA-së, për Kosovësn, Enver Hoxha për Kosovën, Koha Ditore, Prishtinë, 20. 2. 2005).

Për këtë arsye, Tirana u konsiderua nga ish-Jugosllavia dhe u identifikua si nxitëse e trazirave në Kosovë. E vërteta nuk ishte ashtu, ngase Tirana asnjëherë nuk u përfshi drejtpërsëdrejti në Kosovë, gjatë asaj kohe, pasi që edhe gjendja ekonomike e Shqipërisë nuk ishte në pozitë të mirë. Ish-Jugosllavia ishte e vetëdijshme dhe krejt e ndërgjegjshme për rëndësinë që kishte për shqiptarët Shqipëria, qasja e saj në qëndrueshmërinë për Kosovën por edhe për vetë ish-Jugosllavinë në tërësi.

( Vicreks Miranda, Midis Serbve dhe Shqiptarëve, Një histori e shkurtër, Tiranë, 2004, f. 252 ). Mënyra e sjelljes së Shqipërisë gjatë viteve në vijim përbënte pengesën kryesore dhe serioze për Beogradin, pasi ajo i inkurajonte shqiptarët e Kosovës, që u jepte shpresë, guxim e vetëdijesim për të qëndruar në rrugën e tyre të drejtë për liri e barazi kombëtare, theksonte Enver Hoxha.( Ethem Çeku, vep e përm, f. 274). Më 17 prill 1981, politika shqiptare doli haptas dhe qartas në mbrojtje të kërkesave të demonstratave të studentëve dhe popullit shqiptar në Kosovë për Republikën e Kosovës, duke saktësuar edhe kërkesat: Kosova do të qetësohet kur të hiqet shtetrrethimi, të tërhiqet ushtria, të lirohen të burgosurit politikë, dhe djemtë e vajzat t’u kthehen familjeve të tyre.( Mehmet Hajrizi, Histori e një organizate politike 2004, f,. 221).

Përkrahja e shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës ishte serioze dhe në përputhje me kërkesat e shqiptarëve të Kosovës. Politika e Shqipërisë pas këtyre ngjarjeve duket qartë më e hapur më e interesuar për zgjidhjen e çështjes shqiptare si një problem kombëtar, duke dhënë sinjale sensibilizimi të çështjes shqiptare edhe si një problem evropian nga Jalta e deri më tani.(

Bedri Islami, Shqipëria dhe Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, Epoka e re , Prishtinë, 7 prill. 2006, f, 10 ). Por të gjitha këto qëndrime, komunikata, e intervista, bazën e kanë në qëndrimin zyrtar të Shqipërisë për çështjen e Kosovës në vitin 1981, që paraqiti Enver Hoxha në Kongresin e 8 të PPSH-së, i cili duke i trajtuar gjerësisht zhvillimet politike historike të vitit 1981 në Kosovë, ai midis tjerash tha: ‘Politika e Shqipërisë Socialiste ndaj Jugosllavisë ka qenë gjithherë konstante dhe e pandryshuar’, por keqësimi i tanishëm i situatës në Kosovë i ka acaruar marrëdhëniet Shqiptaro-Jugosllave.

Andaj për të gjitha këto pasojat i mbanë Jugosllavia për shkak të veprimeve kundër shqiptarëve në Kosovë. Shqiptarët në Kosovës përbëjnë një etni, një popull të formuar me shekuj, që ka historinë, gjuhën, kulturën e vet, të një populli autokton, të cilët i shkëputën e i copëtuan nga mëmëdheu i tyre me ndihmën e Fuqive të Mëdha.( M. Hajrizi, vep e përm, f. 227).

Qëndrimi zyrtar i politikës së jashtme të Shqipërisë, lidhur me gjendjen në Kosovë dhe statusin e Kosovës pati implikime të konsiderueshme të evoluimit e ndërgjegjeje politike, mbarëkombëtare, në rajonin e Ballkanit, pasi deri në këtë kohë Shqipëria qëndronte për idenë e bashkimit të trojeve shqiptare. Më në fund Enver Hoxha mbështeti opcionin për Republikën e Kosovës brenda ish-Federatës Jugosllave.