“Qilimi shqiptar”, në sheshin e ri në Shirokë frymëzuar nga identiteti kulturor i zonës nominohet për çmimin prestigjioz të arkitekturës botërore “Mies Van Der Rohe Award”.

Lajmin e ka bërë të ditur kandidati për deputet i PS për qarkun Shkodër, Ilir Beqaj i cili e ka cilësuar një lajm fantastik dhe një promovim të jashtëzakonshëm për Shkodrën.

“Lajm fantastik! Projekti i rikualifikimit urban të Shirokës “Qilimi shqiptar” është nominuar për çmimin “Mies Van Der Rohe Award” që është një çmimet më prestigjiozë të arkitekturës botërore. Publicitet i jashtëzakonshëm për Shirokën, Shkodrën, por edhe për gjithë Shqipërinë”, shprehet Beqaj.

Projekti i rikualifikimit urban të Shirokës, e ka kthyer në qendër turistike, argëtuese dhe të pasur në aktivitete sociale në shërbim të komunitetit.

Projekti përfshiu restaurimin e 2000 m2 fasada, ndërtimin e 1500 m2 çati të reja, si dhe ndërtimin e një hapësire, prej 1700 m2 parking publik. Hapësira e rikonstruktuar e sheshit është 20.000 m2 në total./atsh/