Vetëm në një vend më shumë se qytetarët e Koresë së Veriut, mund të udhëtojnë kosovarët pa viza.

Raportet periodike të “Henley Passport Index”, matin pasaportat më të përdorshme pa viza në botë,

Kosova është renditur në pozitën e 198-të, nga 209 shtete të botës të cilat janë matur sa i përket qasjes në shtete tjera pa viza.
E renditur, pos Koresë së Veriut, krahas Sudanit, Sirisë e Irakut në fund të listës, kosovarët mund të udhëtojnë në 40 shtete në gjithë botën pa pasur nevojë për vizë, derisa japonezët që janë renditur në pozitën e parë, në 191 vende.

Liderët institucionalë kanë premtuar liberalizim të vizave pothuajse në çdo vit derisa këtë e ka bërë vitin e kaluar edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj. Jo që nuk ka ndodhur liberalizimi, por pasaporta e Kosovës është renditur si një ndër më të dobëtat sa i përket qasjes në shtete të tjera të botës pa pasur nevojë për vizë.

Edhe për vizat Schengen për të cilat duhet të aplikojnë, kosovarët do të paguajnë më shtrenjtë nga muaji i ardhshëm.

Bashkimi Evropian, që ka rishikuar rregulloren e pagesës së vizave për të gjitha shtetet anëtare, vitin e kaluar kishte vendosur që në shkurt të 2020-s të hyjë në fuqi ajo e reja, ku ndryshohen tarifat aktuale.

Pagesa pa shpenzime tjera për një vizë nga 2 shkurti, pritet të rritet në 80 euro.
Qytetarët, të cilët ankohen për çmime të larta, fajësojnë gjithashtu institucionet kosovare se nuk kanë adresuar ndër vite siç duhet çështjen e liberalizimit të vizave.

Komisioni Evropian ka dhënë rekomandim pozitiv për liberalizim të vizave për kosovarët, por gjithçka është bllokuar në Këshillin e Ministrave të BE-së, ku kjo çështje as nuk është futur në rend dite.

Shkak është bërë kundërshtimi i vendeve si Holanda e Franca, pas problemeve të mëdha me emigrimin ilegal nga vendet e Ballkanit Perëndimor.