Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trakoviq ka deklaruar për portalin serb Nova.rs se MPB e Serbisë ia ka hequr sigurimin. Trajkoviq ka thënë se i është thënë se “nuk ka më nevojë për përcjellje duke marrë parasysh se siguria e saj është relaksuar”.

“Ata këtë e bënë në momentin kur janë duke u zhvilluar procedurat gjyqësore ndaj Millan Radoiçiqit dhe zyrtarit  të BIA-s Bojan Dimiq, si dhe pas zgjedhjeve në Kosovë”, ka deklaruar Trajkoviq.

E pyetur nëse ende ndihet e rrezikuar, ajo tha se ndjehet e rrezikuar drejtpërdrejt nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ai sapo dje e quajti Nenad Rashiqin tradhtarë, djali i tij u rrah, dhe ka lëndime të rënda në kokë”, ka thënë Trajkoviq, e cila është në koalicion me Rashiqin.

Ajo shton se lista e tyre në zgjedhje ka tejkaluar në mënyrë të paplanifikuar vlerësimet që i dhanë asaj, dhe tregon se votat nuk  po numërohen ende.

“Për shkak të inxhinieringut të Listës Serbe, të cilën ajo e zbatoi në Kosovë, jo vetëm që ata morën 10 vende në parlament, por ata gjithashtu i bënë presion edhe goranëve që të votojnë për ta. Gjithashtu, enklavat votuan për kandidatët boshnjakë të cilët janë nënkryetarë në Mitrovicë dhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera me Rakiqin. Serbët në Graçanicë u detyruan të votojnë për romët” , ka thënë Trajkoviq dhe ka shtuar se krijuesi ideologjik i kësaj është Aleksandar Vuçiq”.

Përndryshe, në maj të vitit 2019, Rada Trajkoviq mori mbrojtjen e policisë serbe, të cilën ajo e kërkoi për shkak të rrezikimit të saj dhe familjes së saj.