Kryeministri Rama është përgjigjur menjëherë për mungesën e një date të zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Ndërsa theksoi procesin “Ballkani i hapur”, Rama tha se integrimi mund të marrë shumë kohë. Falë investimeve evropiane, Durrësi pritet të marrë një fuqi të rëndësishme për shkak të hekurudhave që do e lidhin me Prishtinën, Shkupin dhe Podgoricën.

Kryeministri Rama ka reaguar menjëherë për mungesën e një date për tryezën e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, apo të një datë për anëtarësimin e Ballkanit perëndimor në BE, në samitin e Bërdos në Slloveni.

Nga Tirana ai tha se fjala zgjerim po përdoret gjithnjë e më pak.

Rama: Mendoj se po bëhet gjithmonë e më e qartë se zgjerimi është përherë e më pak një fjalë që përdoret me pasionin dhe vullnetin me të cilin përdorej vite më parë dhe nuk ka dyshim që procesi mund të kërkojë shumë kohë.

Për shefin e ekzekutivit shqiptar procesi i anëtarësimit në BE mund të kërkojë shumë kohë.

Për të afruar Ballkanin me BE-në, sipas kryeministrit është ndërtuar procesi i “Ballkanit të hapur”, që nuk bie ndesh me “Procesin e Berlinit”, por është shtojcë e tij.

Rama: Ka diskutime mjaft konfuze për Procesin e Berlinit, për Ballkanin e Hapur, ndërkohë që për mua është shumë e qartë. Ballkani i Hapur është frymëzuar nga Procesi i Berlinit, është një zhvillim i natyrshëm i Procesit të Berlinit, është një instrument i krijuar në rajon, për të vendosur të gjitha përpjekjet nga rajoni, për të zbatuar parimet dhe objektivat e vetë Procesit të Berlinit. 

Rama i bëri thirrje Kroacisë për të bashkuar forcat në përfundimin e korridorit Adriatiko – Jonian.

Nga Forumi i Tiranës për Ndërlidhjen Infrastrukturore mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës, Rama parashtroi edhe projektet e mëdha që pritet të nisin nga qyteti bregdetar i Durrësit, siç është hekurudha Tiranë- Durrës, ajo Durrës – Prishtinë dhe Durrës – Maqedoni e Veriut.

Rama: Jemi tashmë, më së fundmi, duke parë punën të fillojë për hekurudhën Tiranë – Durrës, që ka qenë një proces i gjatë. Aktualisht na duhet që ta lidhim Durrësin me Malin e Zi, në kuptimin hekurudhor, sepse në të kundër, atëherë nuk ka kuptim. Lidhja e Durrësit me Hanin e Hotit dhe nga Hani i Hotit me Malin e Zi do të nxisë tregtinë. Paralelisht me këtë, ne jemi sigurisht të interesuar dhe presim me padurim që të punojmë edhe për hekurudhën tjetër, Durrës – Prishtinë dhe më pas të lidhet me Nishin, që sërish e sjell të gjithë investimin në një rrjet më të gjerë, jo vetëm rajonal, por edhe Evropian.

Bashkimi Evropian do të jap 30 miliard euro fonde, kryesisht për infrastrukturën rrugore, digjitale dhe hekurudhore për Ballkanin Perëndimor.