Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Ramosaj përmes një komunikate për media në “Facebook”, u shpreh se ka marrë fund bllokada e paqëndrueshme rreth ndërtimit të rrugës Deçan – Plavë.

Ai bëri të ditur se, sipas kësaj marrëveshjeje, Komuna e Deçanit do të procedojë me rehabilitimin/shtrimin e rrugës së Gushavcit dhe asaj të Manastirit, në trasetë e tyre ekzistuese, si rrugë lokale duke e përfshirë këtu edhe transportin e mallrave  dhe kafshëve si nevoja të banorëve dhe familjeve që shfrytëzojnë bjeshkët për gjatë Grykës  së Deçanit.

Me të njëjtën dinamikë të sinkronizuar, Ramosaj shprehet se do të rehabilitohet edhe rruga e bypass, duke i dhënë fund një bllokade të paqenë të refuzimit të paarsyeshëm të ndërtimit të rrugës, hapjen e perspektivës ekonomike lokale, realizimit të lirisë së lëvizjes për banorët e Deçanit veçanërisht, dhe lidhjes ndërkombëtare ndër-shtetërore me Plavën.

Në muajin shtator, kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, kishte kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila, në një pjesë të saj, e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Ndërkaq Hoti njoftoi sot se është arritur marrëveshja për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Marrëveshje e cila thonë se u arritë me ndërmjetësimin e Kryeministrit Avdullah Hoti dhe me mbështetjen e Ambasadorit të Italisë, Nicola Orlando e të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Michele Risi.

Hoti u shpreh se me arritjen e kësaj marrëveshjeje, dëshmohet se Republika e Kosovës është vend i të barabartëve, liritë dhe të drejtat e të cilëve respektohen dhe mbrohen njësoj.