Drejtori i të ashtuquajturës Zyre serbe për Kosovën, Marko Djuric ka thënë se Serbia vazhdon të jetë pronare dhe ndërtuese e rrjeteve energjike në Kosovë dhe se një Shqipëri e Madhe energjetike nuk do të ekzistojë asnjëherë

Djuric thotë se njoftimet për krijimin e Shqipërisë së Madhe energjetike zbulojnë fytyrën e vërtetë shoviniste të politikës në Prishtinë.

Gjatë ditës së djeshme (2 dhjetor), është nënshkruar marrëveshja midis Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST), për themelimin e bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri.

KOSTT përmes një komunikate ka njoftuar se marrëveshja është nënshkruar me dijeni të Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO), e cila parashihet të hyjë në fuqi në prill të vitit 2020.

‘Blloku Rregullues, i përbërë prej dy zonave rregulluese, KOSTT dhe OST, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjetike, si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dyja sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve’, thuhet në njoftimin e KOSTT’it.