Rusia ka deklaruar sot se vaksina e saj kundër coronavirusit është 92% efektive, çka e bën atë më të mirë se vaksina e zhvilluar nga kompania amerikane Pfizer.

Nga 20 infeksione të regjistruara deri tani, vetëm dy u shfaqën në persona që kishin marrë vaksinën e quajtur Sputnik V. Ministri i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, bëri të ditura rezultatet, duke thënë se Sputnik V është zgjidhje efikase për të ndaluar përhapjen e coronavirusit.

Megjithatë, shkencëtarët kanë vënë në pikëpyetje zbulimet, duke paralajmëruar për pasiguri të konsiderueshme për shkak të numrit të vogël të të infektuarve në test.

Ata akuzuan zyrtarët shtetërorë për karshillëk të rezultateve të Pfizerit, madje një prej tyre tha se, bazuar në këto rezultate të hershme, vaksina ruse mund të jetë vetëm 60% efektive.

Pfizer bëri të ditura të hënën rezultatet e vaksinës, që thoshin se është është 90% efektive, pasi konfirmoi 94 infeksione përfshirë deri në tetë vullnetarë që kishin marrë vaksinën.

Çdo numër mbi 60% për një vaksinë është arritje e madhe, pasi do të thotë se ajo mund të nxitë imunitetin e tufës në popullatë.

Kjo ndodh kur një numër i mjaftueshëm njerëzish kanë imunitet ndaj një virusi duke ia bërë të pamundur përhapjen përmes komunitetit e të infektojë ata që janë më të rrezikuar, duke reduktuar nevojën për mbyllje apo masa emergjente nga shërbimet shëndetësore.

Sputnik V ishte vaksina e parë në botë që mori miratimin urgjent në Moskë, por nuk është përhapur ende në vende të tjera.

Profesoer Eleanor Riley, imunologe në Universitetin e Edinburgut në Skoci, i bëri thirrje shtetit rus të ketë parasysh se kjo nuk është garë.

‘Shqetësohem se këto të dhëna janë të nxituara pas njoftimit të Pfizer/BioNtech në fillim të javës’, tha ajo.

‘Të dhënat e Sputnik bazohen vetëm në 20 raste të Covid-19 në pjesëmarrësit në teste, krahasuar me mbi 90 raste në testin tjetër. Kjo nuk është garë. Duhet që të gjitha eksperimentimet të kryhen me standardet më të lartë të mundshëm dhe është veçanërisht e rëndësishme që të zbatohen kriteret e paracaktuara për analizimin e të dhënave, për të shmangur seleksionimin e tyre. Çdo gjë tjetër do të sillte rrezikun e humbjen e besimit të publikut te vaksina’.

Profesor Ian Jones, epidemiolog në Universitetin e Readingut tha  se ishte e mundshme që vaksina të funksiononte sepse ajo bazohej te virusi i gripit të zakonshëm, adenovirus, i cili përdoret për të shpërndarë një pjesë të kodit gjenetik të Covid-19 në trup.

‘Për të qenë i sinqertë, nuk shoh pse nuk duhet të jetë efektive, pasi në parim të gjitha vaksinat me adenovirus bëjnë të njëjtën gjë’.