Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicë, Sabit Geci ka folur për disa nga figurat kryesore politike në Kosovë të tridhjetë viteve të fundit.

Ai ka fjalë të mira për ish-presidentin Ibrahim Rugova, por jo edhe për njerëzit që kanë qenë afër tij.

“Tash të gjithë po flasin mirë për të pasi ne e kemi zakon të flasim mirë për njerëzit e vdekur. Më të vërtet ka qenë njeri i mirë. Unë nuk e kam përkrahë…por ne si familje kemi qenë gjithmonë në LDK. Nuk jemi meritor vetëm ne [UÇK] për çlirimin e vendit por edhe ky. Nuk do të thotë se edhe njerëzit afër tij kanë qenë të mirë. Ky qëllimin e ka pasur të mirë por mundësia ka qenë më ndryshe”, tha ai.

Megjithatë Geci thotë se pa pushkë dhe vetëm me politikë paqësore si të Rugovës, Kosova nuk do të ishte çliruar.

Geci thotë se “Hashim Thaçin e luftës” e do dhe nuk pranon askush ta shajë.

“Për Hashimin e politikës nuk më intereson fare dhe mund ta shajë kushdo”.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicë edhe për Haradinajn ka respekt për periudhën e luftës por jo edhe për politikë.

Për Albin Kurtin thotë se ka dashur të fitojë në zgjedhje.

“Kam pasur dëshirë të fitojë në zgjedhje, por njerëzit që i ka përreth më kanë zhgënjyer”, tha ndër të tjera Sabit Geci.