Zyrtari më i lartë ndërkombëtar në Bosnjë ka thënë se kërcënimi separatist serb për të rikrijuar ushtrinë e tyre është tërhequr për momentin, por vendi dhe rajoni përreth po vazhdojnë të shkojnë drejt krizës pa angazhim të konsiderueshëm diplomatik nga SHBA-ja dhe Evropa.

Christian Schmidt, ish-ministër gjerman që shërben si përfaqësues i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, tha se lideri separatist serb, Milorad Dodik, ishte bindur nga udhëheqësit rajonalë që të pezullonte planet e tij për të tërhequr ushtarët serbë nga ushtria kombëtare boshnjake dhe për të rindërtuar një forcë serbe të Bosnjës.

“Ne shohim se pas shumë bisedimeve, duke përfshirë ato në fqinjësi, ai mori mesazhin se askush nuk do të pranonte një mënyrë që çon në një potencial në rritje të konfliktit politik dhe – shpresojmë jo – ushtarak”, tha Schmidti për “Guardian” gjatë qëndrimit të tij në Washington.

“Unë në fakt nuk shoh një rrezik lufte”, shtoi Schmidti, duke thënë se kishte më pak armë të rënda në vend krahasuar me vitin 1992 kur shpërtheu lufta në Bosnjë. “Për fat të mirë, ka shumë pak mjete ushtarake në dispozicion”, tha ai.

Megjithatë, Schmidti argumentoi se retorika separatiste e Dodikut dhe zotimet e tij për të shkëputur sistemin ligjor dhe tatimor në gjysmën e vendit të drejtuar nga serbët po e çonin vendin drejt një krize të rëndë.

“Këto taktika vetëpërmbushëse kanë arritur në një pikë ku ai [Dodiku] nuk mund të kthehet pa e humbur fytyrën”, tha ai. “Përshtypja ime është se jemi shumë, shumë afër kësaj pike dhe kjo kërkon një përgjigje shumë të qartë nga komuniteti ndërkombëtar”.

“Unë do të thosha se sfida e një shpërbërjeje të tillë të Bosnjë dhe Hercegovinës është se kjo nuk mund të kufizohet vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha Schmidti.

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në BeH ishte në Washington për bisedime me ekipin e politikës së jashtme të Bidenit në lidhje me kërcënimin e kolapsit të marrëveshjes së paqes të Dejtonit, e cila i dha fund luftës në vitin 1995. Ndihmësit e tij u inkurajuan që këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, bëri një paraqitje të papritur në takimin e tyre me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, të cilin ata e panë si një sinjal se administrata Biden do t’i kushtonte vëmendje më të ngushtë dhe të nivelit më të lartë zhvillimeve në Bosnjë.

Pas një vizite në rajon nga këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, i cili shkroi historinë e Departamentit të Shtetit të marrëveshjes së Dejtonit, dhe në dritën e kërcënimeve të Dodikut, zyrtarët amerikanë kanë thënë se po rivlerësojnë politikën e Washingtonit në Bosnje, e cila deri më tani ka qenë e ulët dhe e fokusuar në reformën zgjedhore.

“Jam shumë i lumtur për këtë, sepse shoh që vitet e fundit nuk kishte asnjë strategji, sepse kishte përshtypje jo vetëm në SHBA, por edhe në Bashkimin Evropian, se gjërat do të shkonin [në mënyrë paqësore]”, tha Schmidti. Ai theksoi se, në turneun e tij nëpër kryeqytetet perëndimore, ai nuk po kërkonte paqeruajtës ndërkombëtarë shtesë, por një angazhim të unifikuar diplomatik.

Kurt Bassuener, bashkëthemelues i Këshillit të Politikave të Demokratizimit, një institut me bazë në Berlin, argumentoi se Schmidti ishte tepër optimist për shanset për të shmangur dhunën dhe tha se kishte më shumë se mjaftueshëm pajisje ushtarake në vend për të nxitur një konflikt tjetër.

“Unë mendoj se ai është në të vërtetë mjaft i vetëkënaqur”, tha Bassuener. “Pika e fundit është se ka më shumë se mjaftueshëm pajisje për të ndodhur gjëra shumë të këqija”.

Pozicioni i Schmidtit është nën presionin diplomatik. Moska e kundërshtoi emërimin e tij dhe nuk e njeh autoritetin e tij. Rusia dhe Kina këmbëngulën se çdo përmendje e përfaqësuesit të lartë të hiqet nga një rezolutë e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Bosnjën. Dodiku ka refuzuar ta takojë, duke vënë në dyshim legjitimitetin e tij.

Por Schmidti, i cili ka mbështetje nga pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar, tha se ai nuk do të detyrohej të largohej. “Unë do të qëndroj dhe do të [përmbush] përgjegjësinë time”, tha ai.