Të dielën e 16 janarit, qytetarët e Serbisë do të votojnë në referendumin për ndryshim të Kushtetutës së Serbisë lidhur me çështje gjyqësore, ndërkaq serbët në Kosovë kanë thënë se këtë të drejtë do ta shfrytëzojnë vetëm nëse ua lejon shteti i Kosovës. Të premten është shtuar presioni ndërkombëtar mbi Qeverinë e Kosovës për ta lejuar organizimin e referendumit në territor të Kosovës. Por krerët e Kosovës kanë refuzuar dhe madje kanë marrë mbështetjen edhe të opozitës. Në prag të kësaj dite të referendumit dhe presionit të shtuar, serbët në Graçanicë kanë komentuar nëse do të votojnë apo jo.

“Më besoni, nuk e di. Nëse (Albin) Kurti na lejon, sigurisht që po. Sigurisht do të votoj sepse është në pyetje diçka në të mirë të të gjithë neve”, ka thënë një nga banorët e Graçanicës.

Radovani nga Kuzmini ka thënë se nuk e di se si do të mundësohet votimi. “Nuk e di, po thonë se s’ka shans të votimit”.

Gradimir Lazhiq po ashtu po i ndjek ngjarjet e fundit. Ai ka thënë se fjalën e fundit do ta japë Qeveria e Kosovës.

“Nëse do të lejohet, është pikëpyetje. Qeveria e Kosovës ka të drejtat e veta, ajo vendos për shtetësinë e vet, edhe pse s’ka shtet. Nuk mund të bëjmë diçka për këtë. Si të vendosin ata, ne do të votojmë po që se është e mundur”, ka thënë ai.

Qeveria e Serbisë ka organizuar referendumin duke thënë se me ndryshimet po bëhet harmonizim i legjislacionit të Serbisë me atë evropian.