Një 40-vjeçar serb nga Mitrovica e Veriut, detyrim të vetëm për marrjen e pagës mujore nga institucionet e Kosovës e ka paraqitjen në punë një herë në muaj në një ministri në Prishtinë. Vite më parë, ai i ishte bashkangjitur strukturës paralele serbe në veri, ‘Mbrojtja Civile’.

Pas vendimit për shpërbërje të kësaj strukture dhe pas marrëveshjes së Brukselit për integrimin e stafit të Mbrojtjes Civile, ai ishte punësuar në një nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Ka kontratë të përhershme, por nuk ka detyra ditore, e as vend pune.

“Kam nënshkruar një kontratë për të punuar, jo për të mos punuar, por agjencitë nuk janë të hapura, nuk ka vend për të punuar. Nuk është faji im. Mendoj që kjo situatë i përshtatet dikujt që të jemi vetëm në listën e pagave, pa shpenzime të tjera, zyra, kompjuterë, letër, etj”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, situatë të njëjtë kanë edhe shumë ish-kolegë të tij në ‘Mbrojtjen Civile’.

Disa nga institucionet qendrore në Prishtinë kanë dështuar në hapjen e agjencive dhe degëve të ministrive në pjesën veriore të vendit, ku do të akomodoheshin ish-pjesëtarët serbë të ‘Mbrojtjes Civile’. Kjo strukturë ishte shpërbërë më 2015/16, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e ku Kosova kishte marrë përgjegjësinë për integrimin e tyre në institucionet e vendit.

Rreth 483 ish-pjesëtarë të kësaj strukture paralele janë punësuar nëpër institucione e agjenci shtetërore, por një pjesë e konsiderueshme e tyre, marrin paga, pa bërë asnjë ditë pune efektive.