Ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin, deklaroi se Serbia nuk është koloni e askujt dhe se do të vendosë ajo vetë si të armatoset dhe nga kush.

Ministri lavdëroi dhe presidentin, Aleksandar Vuçic, duke thënë se “për sa kohë do të jetë ai në krye të vendit, kështu do të jetë”. Deklarata e tij erdhi pasi Shtetet e Bashkuara I kërkuan Beogradit të mos blejë më armatime nga Rusia. “Si shtet neutral ushtarak, Serbia është e detyruar të jetë e gatshme të mbrojë veten dhe serbët kudo që jetojnë.

Nuk ka asnjë arsye që ndaj Serbisë të vihen sanksione dhe jam i sigurt se këtë nuk do ta bënte asnjë shtet demokratik që respekton të drejtën ndërkombëtare”, tha Vulin.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd u shpreh e shqetësuar nga fakti që Serbia blen pajisje ushtarake prej Moskës dhe i bëri thirrje t’i ndërpresë transaksionet që sipas saj mund të nxisin sanksione. “Rusia, në mënyrë aktive, e kundërshton integrimin perëdimor të rajonit dhe përpiqet të pengojë zgjidhjen e tensioneve ndëretnike, të margjinalizojë ndikimin e SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian dhe t’i pengojë vendet e Ballkanit Perëndimor të ndjekin orientimin e tyre të pavarur”, thuhej në deklaratën e ambasadës.

Komentet e saj erdhën pasi Vucic konfirmoi këtë javë se Serbia e ka kompletuar blerjen e sistemit raketor nga Rusia.Ai vazhdimisht është shprehur pro integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, por, në të njëjtën kohë, vazhdon t’i ruajë lidhjet e ngushta me Rusinë.