Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq ka thënë se 12 shtete aktualisht janë të gatshme të rishqyrtojnë vendimin e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ne nuk do të bënim lëvizjen e parë, sepse do të shpalleshim provokatorë menjëherë. Për më tepër, ishim të gatshëm të vazhdonim moratoriumin për lobim për njohje dhe njohje të dakorduara me marrëveshjen e Uashingtonit, por në Prishtinë nuk ka vullnet të mirë për të respektuar asnjë marrëveshje”, tha Selakoviq.

Me Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar në shtator të vitit 2020, Kosova mori përsipër të pezullojë kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare për 12 muaj dhe Serbia pranoi të pezullojë fushatën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës në të njëjtën periudhë.