Serwer: Normalizimi i marrëdhënieve duhet të përfshijë anëtarësimin e Kosovës në OKB
Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin John Hopkins, Daniel Serwer, ka folur për mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dërgojnë një emisar presidencial për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk sheh ndonjë dëm, nëse SHBA bën këtë gjë, meqenëse Bashkimi Evropian dhe palët në dialog mirëpresin praninë amerikane.

Por, sipas Serwer, në dialog nuk duhet të përfshihet Rusia, derisa të jetë gati të mirëpresë Kosovën në OKB

“Unë nuk shoh ndonjë dëm në SHBA që të dërgojë dikë, duke supozuar se BE, Serbia dhe Kosova mirëpresin praninë amerikane. Megjithatë, nuk do të doja të shihja derën e hapur ndaj Moskës derisa Rusia të jetë gati të mirëpresë Kosovën në OKB. Normalizimi duhet të përfshijë anëtarësimin në OKB”, ka thënë analisti amerikan.
Përfshirje më direkte të SHBA-së në procesin e dialogut ka kërkuar ditë më parë edhe David Phillips, drejtor në Institutin e Paqes në Universitetin e Columbias në New York.

Ai ka thënë se një emisar presidencial do të plotësonte emisarin evropian, Miroslav Lajçak, në përpjekjet e tij për gjetjen e një zgjidhjeje mes të dyja vendeve.

Emisari special i BE-së për dialogun, paralajmëroi se takimi i ardhshëm në nivelin e shefave të delegacioneve kryesore të Prishtinës edhe Beogradit do të mbahet në fillim të shtatorit.

“Sot pata biseda të ndara me zëvendës-kryeministrin, Besnik Bislimi dhe drejtorin e zyrës (së ashtuquajtur) për Kosovë, Petar Petkoviq për përgatitjen e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut në nivelin e shefave te delegacioneve” ka shkruar Lajçak në një postim në Twitter./