Batalioni i II i këmbësorisë së Forcës Tokësore është një hap më pranë mekanizimit të plotë të tij. Qeveria e SHBA dhuroi 29 mjete të reja, të blinduara, shumëpërdorimshme dhe me lëvizshmëri të lartë (Humvee) për këtë strukturë të deklaruar në NATO.

Nga ana e saj, ambasadorja Kim tha se dhurimi i mjeteve të reja kontribuon në transformimin e batalionit të II të këmbësorisë, nga një batalion i lehtë, në një batalion të mekanizuar.

Diplomatja amerikane u shpreh krenare që Shqipëria i përgjigjet detyrës, duke qenë gjithmonë në krah të SHBA, pavarësisht sa të rrezikshme janë misionet, pavarësisht sa larg shtëpisë. Dhurimin e 29 mjeteve të reja, ajo e konsideroi si një donacion të rëndësishëm në prag të “Defender Europe 21”, stërvitjes ushtarake më të madhe në Evropën Juglindore.

Mjetet e reja të dhuruara nga SHBA do të përdoren kryesisht nga batalioni i II i këmbësorisë në Forcën Tokësore, i cili është një strukturë në gatishmëri dhe dispozicion të Aleancës për t’u dislokuar kudo dhe kurdo.