Në Kongresin e SHBA, Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve Gregory W. Meeks, demokrat dhe numri dy i këtij komisioni Michael McCaul, republikan, u bënë thirrje autoriteteve të Shqipërisë të garantojnë zgjedhje demokratike, pa shitblerje votash, frikësime apo dhunë.

“Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet kombëtare të 25 prillit, – thanë ata në një deklaratë, – ne i nxisim autoritetet shqiptare të garantojnë që votuesit do të jenë në gjendje të hedhin votat e tyre të lirë nga shitblerja, frikësimi dhe dhuna.”

“Ne gjithashtu presim që të gjithë udhëheqësit – ata aktualisht në detyrë dhe ata që shpresojnë të zgjidhen – të veprojnë në përputhje me normat demokratike edhe kur bëjnë fushatë të fuqishme. Miqtë e Shqipërisë në Amerikë mbeten të përkushtuar për të mbështetur një të ardhme demokratike dhe të begatë për popullin shqiptar,” thuhet në deklaratë.

Një deklaratë të ngjashme bënë të enjten edhe krerët e Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Bob Menendez dhe Jim Risch.

Thirrje për vetpërmbajtje ka bërë edhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Ajo tha se “Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë simbolet e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës së shëmtuar, që duhet refuzuar”.

Të enjten, ambasadorja Kim tha se “është përgjegjësi e udhëheqësve që ndodhen në pozicionet më të larta drejtuese të vendit, që të bëjnë thirrje për qetësi”, duke shtuar se “po monitorohen të gjitha veprimet e ndërmarra nga drejtuesit e vendit”.

Thirrjet vijnë pas shqetësimeve të krijuara nga një sërë incidentesh të ditëve të fundit me përdorim dhune ose me thirrje për dhunë.

Partitë politike kanë përdorur gjuhë të ashpër politike kundër njëra-tjetrës, me akuza se përdorin grupe për “mbrojtjen e votës” apo për për korrupsion zgjedhor.