Një shpërndarje e përshkallëzuar do t’i jepte përparësi popullatës së ndjeshme ndaj virusit dhe profesionistëve shëndetësor. Data më e përafërt e paraparë është muaji janar i vitit të ardhshëm por nuk hiqet mundësia e muajve të fundit të këtij viti për vaksinim.

Departamenti i Mbrojtjes dhe agjencitë federale shëndetësore kanë definuar planin për vaksinën kundër koronavirusit, që është përcaktuar të shpërndahet falas për të gjithë amerikanët.

Planet u shpalosën në formë raporti para Kongresit, si dhe një rregullore për shtetet amerikane dhe qeveritë lokale, raporton agjencia e lajmeve the Associated Press. Agjencitë po e shikojnë fillimin e vitit për fushatën e vaksinimit, megjithëse mbetet mundësia se kjo mund të nisë në fund të vitit.

“Ne po punojmë ngushtë me partnerët tanë shtetëror dhe lokal shëndetësor…për t’ju siguruar se amerikanët të marrin vaksinën sa më shpejt e mundur”, tha Sekretari i Shërbimeve Shëndetësore dhe Njerëzore, Alex Azar, në një komunikatë.

Vaksinimi do të fillonte gradualisht në disa segmente të popullatës- si punëtorët shëndetësor, punëtorë të tjerë esencial, si dhe ata më të ndjeshmit – para se të eventualisht të shtohej shpërndarja për të gjithë ata që e duan.

Disa kandidat për vaksinë momentalisht janë në fazën testuese e që mund të aprovohen. Pritja është që për shumicën prej tyre do të duhen dy doza në periudhë prej 21 deri në 28 ditë në mes. Rregullorja inkurajon ofruesit e shërbimit t’i përkujtojnë të vaksinuarit të kthehen për dozën e dytë, që duhet të jetë nga prodhuesi i njëjtë si ajo e para.

Presidenti Amerikan Donald Trump ka thënë të martën se çështja e miratimit të vaksinës mund të jetë “çështje javës”.