Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar lidhur me deklaratën e deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala se presidenti Thaçi kishte ndikuar që ai të votojë pro Qeverisë Hoti.Ahmeti ka thënë se nuk ka parë në asnjë vend që presidenti të shkojë për të bindur deputetët për ta votuar një qeveri.“Shumica parlamentare mund të krijojë qeveri në çdo Republikë Parlamentare. Sistemet zgjedhore ndryshojnë prej vendit në vend, por shumica në Kuvend vendos. Por askund nuk kam pa që Presidenti “unifikues” me shku me bind deputetë me votu për një qeveri. E posaçërisht #vota61”, ka shkruar i pari i Prishtinës në rrjetin social “Facebook”.Shala ditë me parë kishte deklaruar se nuk do të votojë Qeverinë në krye me Avdullah Hotin, ani pse partia e tij do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës.Por, sot deputeti në seancën e Kuvendit tha se do ta votojë Qeverinë e re pasi që sipas tij, presidenti Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishin vizituar dje në shtëpinë e tij dhe ia kishin ndërruar mendjen.Në anën tjetër, presidenti Thaçi në një konference për media tha se për secilin deputet pa përjashtimisht do t’i japë rekomandime dhe këshilla “për të mirën e vendit”.