Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka propozuar mbyllje totale për një javë në të gjithë vendin, duke thënë se masat e reja nuk janë të duhura për uljen e rasteve.

Ahmeti në Rubikon tha se ai nuk i ka kundërshtuar masat, por se ato sipas tij janë qesharake, pasi që në Prishtinë bëhen më së shumti teste, dhe për këtë arsye, ka më shumë raste.

Ahmeti mes tjerash ka propozuar një mbyllje totale për një javë, duke thënë se masat e reja janë një “hajgare”.

“Të shkojmë në mbyllje totale për një javë në gjithë vendin, o të mos bëjmë hajgare me këto masa. Nuk ka kuptim që dikush i Kaçanikut të mos mund të vjen në Prishtinë në 07:00 e mund të shkojë në Shkup”, tha ai, raporton Gazeta Metro.

Kujtojmë se në Kosovë ditëve të fundit ka pasur një rritje të madhe të numrit të rasteve me koronavirus.

Përveç rasteve të reja, ka pasur shtim edhe të numrit të viktimave, ku vetëm sot nga koronavirusi kanë humbur jetën 14 persona.