Jashtë Shqipërisë ka një numër të madh votuesish që po t’u jepej mundësia për të votuar, do të ndikonin ndjeshëm në rezultatin e zgjedhjeve.

Në emisionin “Me Pak Fjalë” u fol mbi votën e emigrantëve, se si ajo mbeti një premtim edhe për zgjedhjet e 2021, megjithëse numri i tyre është i përafërt me numrin e votuesve brenda vendit.

Shqipëria është një nga vendet me diasporën më të madhe në botë në krahasim me popullsinë. Aktualisht jashtë vendit jetojnë 34% e shqiptarëve, rreth 1.64 milionë. Nga këta, rreth 1.3 milionë kanë të drejtë vote, raporton Euronews.

Në zgjedhjet e vitit 2017 në Shqipëri votuan rreth 1.6 milionë qytetarë, rreth 300 mijë më shumë se numri i emigrantëve me të drejtë vote jashtë vendit.

Sot e vetmja mënyrë që ata ta ushtrojnë të drejtën e votës është që të vinë fizikisht në Shqipëri.

Nëse atyre u garantohet votimi nga jashtë vendit, numri i lartë i votave që përfaqësojnë do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, pjesa e popullsisë që jeton jashtë vendit ndodhet në më pak presion nga politika brenda vendit, duke i bërë më pak të varur prej partive. Kështu që vota e emigrantëve, me gjasa, do të rrisë edhe kërkesën e llogaridhënies të deputetëve.

Megjithatë, e drejta e emigrantëve për të votuar jashtë vendit, nuk do të zbatohet në zgjedhjet e vitit 2021 pasi nuk ka konsensus mes palëve politike mbi sistemin se si do të zbatohet. Kjo sipas ligjit duhet të vendoset nga KQZ por ajo ka kërkuar konsensusin e palëve për këtë pikë pasi rrezikon të cenohet legjitimiteti i zgjedhjeve.

Jemi 67 ditë nga zgjedhjet dhe nuk është marrë asnjë vendim për regjistrimin e votuesve jashtë vendit. Ky vendim duhet të pasohej me të tjera që përcaktojnë mënyrën e votimit dhe procedimin e votave.

Zotimi i palëve politike më 5 qershor për votën e diasporës do të presë të realizohet në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.