Zanati i ushtarit mercenar, si ushtarët shqiptarë pushtuan Evropën, të përshkruar në librin historik të Paolo Petës

Një Grasso nga Shqipëria, në ato vite, ishte udhëheqës i 43 heshtave, domethënë i më se njëqind e njëzet kalorësve, që jo medoemos ishin bashkatdhetarët e tij: pra një personazh me njëfarë rëndësie, që kalon nëpër duar shuma të konsiderueshme parash.

Shqiptarë të tjerë gjurmët e të cilëve ruhen në arkiva janë jo vetëm kalorës, por balestrierë ose madje edhe zejtarë të specializuar për ndërtimin e pjesëve të topave. Për ushtarët e kalorësit shqiptarë në Evropë flet botimi historik i italianit Paolo Peta, “Stradiotët”, ushtarët shqiptarë të shek. XV-XIV, përkthyer nga Pëllumb Xhufi, botim i Institutit të Dialogut dhe Komunikimit.

Shkruan: Paolo PETA

Shqiptarët nuk pritën pushtimin turk për të filluar emigrimin e tyre në Itali: prej kohesh ekzistonte një rrymë emigruese punëtorësh të shtresave të ulëta, ndërsa që të paktën nga gjysma e parë e shek. XV dokumentohet prania në Itali e ushtarëve profesionistë. Është fillimi i këtij fluksi ushtarësh shqiptarë, që do të bëhet përrua me suksesin evropian të stradiotëve, duke zgjatur deri në shek. XVIII, e në disa raste edhe në shek. XIX.

Mangësia e dokumenteve na lejon vetëm ta shquajmë këtë dukuri, dhe jo t’i bëjmë një përshkrim analitik. Kallëzuesi më i sigurt i saj jepet nga përhapja e mbiemrit Albanese apo Albanesi (ndonjëherë Albani), i cili në këtë shekull ende është me siguri një emër etnik, që shënon një emigrim të brezit të parë ose të shumtën të dytë.

Ai që e mban, duket qartë që ka hyrë në një grup shoqëror ku të qenit shqiptar përbën një veçanti, të paktën po aq sa ngjyra e flokëve apo emri i babait: jo rastësisht ky mbiemër nuk u mbajt kurrë nga stradiotët -një trupë e përbërë kryesisht nga shqiptarë – ndërsa mbahej përkundrazi nga njerëz të armëve, oficerë këmbësorie ose ushtarë të thjeshtë.

Në Markë e gjetkë. Albanët

Market përbëjnë, në gjysmën e parë të shek. XIV, pikëmbërritjen kryesore të emigrimit ballkanik. Është krejt e natyrshme që ato të tërhiqnin jo vetëm fshatarë, zejtarë apo shërbëtorë shtëpiakë, po edhe mercenare, aq më tepër që pikërisht në atë krahinë lulëzojnë dinasti qe do ta ngrejnë pasurinë e tyre pikërisht mbi condotte-t ushtarake.

E para nder këto dinasti që vuri ne shërbim ushtarët shqiptarë duket të ketë qenë ajo e Malatestave, e cila, e ndarë në degë të ndryshme që të gjitha të drejtuara nga prijës pak a shumë aventurierë, sundonte mbi qytete të ndryshme, që nga Rimini ne Senigalia: por ia vlen të kujtohet rekrutimi i emigranteve shqiptare, qe ndodheshin në Jezi si fshatarë të thjeshtë, të cilët ajo komunë i përdori me sukses më 1461 (dhe nuk e dimë nëse bëhej fjalë për një rast të veçuar), pikërisht kundër trupave të Malatestave.

Prania e shqiptarëve në shërbim të Malatestave dokumentohet qe nga vitet e para te shekullit, dhe nuk është fjala gjithmonë për ushtarë “të pakualifikuar” siç konsideroheshin atëherë këmbësorët. Një Grasso nga Shqipëria, në ato vite, ishte udhëheqës i 43 heshtave, domethënë i me se njëqind e njëzet kalorësve, që jo medoemos ishin bashkatdhetarët e tij: pra një personazh me njëfarë rëndësie, që kalon nëpër duar shuma të konsiderueshme parash.

Shqiptarë të tjerë gjurmët e të cilëve ruhen në arkiva janë jo vetëm kalorës, por balestrierë ose madje edhe zejtarë të specializuar për ndërtimin e pjesëve të topave. Për vite të tëra prania e tyre dëshmohet në qytete dhe nën komandantë të ndryshëm, ndërkohë që të tjerë, në të njëjtën krahinë, u shërbejnë zotërinjve krejt të tjerë, si Sforcave të Pezaros apo Frederikut të Montefeltros. Në kompaninë e madhe të Frederikut të Montefeltros, e cila në vitin 1482 mori pjesë në luftën e Ferrarës në shërbim të Estensëve, 260 kapitenët apo skuadërkomandantët janë të gjithë italianë, përveç tri shqiptarëve.

Vetë Estenset, nga ana tjetër, kanë shqiptarë ne shërbim te tyre: midis tyre kujtojmë një konstabël të këmbësorisë, qe quhej Demeter, i cili disa yjet me vonë donte t’i merrte hakun një vëllait të vet, që kish mbetur i vrarë në një grindje midis ushtarësh, dhe për këtë arsye u shpall jashtë ligjit.

Gjenden gjithandej shqiptarë, makar në një pozitë të varur, pra jo si ushtarë, por si shqytarë, ose thjesht shërbyes. Në Milano, një shqiptar në shërbim të Francesco Sforza-s, për të cilin nuk dimë asgjë, ndërton në Duomo një kamare elegante për nder të Virgjëreshës. Në trupat e Papatit gjejmë gjithashtu shqiptarë që nga fillimi i shek. XV.

Ende në vigjilje të plaçkitjes së vitit 1527, një prej shqiptarëve të paktë me qëndrim në Romë do të jetë një kapiten Giovanni, që banonte me familjen në lagjen Kampiteli. Por natyrisht ata janë më të shumtë në trupat venedikase: duke lënë mënjanë stradiotët, që kërkojnë një shqyrtim me vete – dhe me të cilët do të njëjtësohet për më se gjysmë shekulli, gati për antonomazi, përfytyrimi luftëtar i shqiptarëve – mjafton të kujtojmë praninë ndër trupat venedikase të ushtarëve të shumtë, ose të kontestablëve të këmbësorisë që mbanin pikërisht mbiemrin Albanese, siç është rasti i një farë Jakobi, “plak e i mirë”, “trim e guximtar”, udhëheqës i 150, pastaj 200, pastaj i 350 vetëve, i cili më 1509 papritur e pakujtuar kalon në shërbim të mbretit të romanëve, dhe më pas bie rob i stradiotëve në Kastelfranko.

Veç kësaj të shumtë janë shqiptarët – edhe pse më pak se grekët e dalmatët – nder detarët dhe shigjetarët e hipur nëpër galera; dhe nuk mungojnë lajmet për ndonjë rebelim te tyre, gjithsesi të mbytur në gjak.

Ndër të gjitha familjet të cilat, meqenëse ushtronin zanatin e armëve, morën mbiemrin Albanese apo Albanesi, është njëra që, shumë kohë pas emigrimit, mundi të ngjitet në nivelet më të larta të hierarkive shoqërore: është fjala për atë familje Albani se cilës i përkisnin papa Klementi XI dhe kardinali Aleksandër që ishte koleksionisti më i madh i antikiteteve te shekullit XVIII dhe mbrojtës i Vinkelmanit.

Albanët, qysh në vitin 1700, vit i zgjedhjes së Gian Francesco Albanit në fronin e papës, nuk kishin harruar as prejardhjen e tyre shqiptare -gjë që i çoi te refuzonin shërbimet e gjenealogjistëve të zellshëm, të gatshëm të vërtetonin prejardhjen e tyre nga mbretërit e Portugalisë apo të Hungarisë – as mbiemrin e tyre të pare, që ishte Lazi.

Sipas gojëdhënave familjare, Mikel Lazi paskësh ardhur ne Itali në vitin 1464, pasi kishte luftuar me Skënderbeun; bijtë e tij Gjergji e Filipi (vdekur përkatësisht në 1520 dhe në 1508), të cilët qysh atëherë njiheshin rëndom me mbiemrin Albanesi, paskëshin qenë kapitenë në shërbim të Roberto Malatestës më parë, dhe më pas të dukëve të Urbinos. I dyti i shërbeu edhe Republikës venete.

Më i njohun” nga të dy qe Filipi, njëri prej të paktëve kapitenë të trupave shqiptare. Kur vdiq, në Ravenë, komandonte plot 400 kuaj (nga tre kuaj për heshtar: pra më se 130 heshtarë). Për të nuk mbahen mend ngjarje të bujshme luftarake, por Sanuto e kujton si një kapiten “shumë besnik, trim dhe zulmëmadh; e paguante gjithë kompaninë e tij me para, dhe jo me mall dhe kur vdiq iu gjetën vetëm gjashtë dukate”. Dimë edhe që bëri marrëveshje për dorëzimin e disa fortesave armike, gjë që tregon se nuk ishte vetëm luftëtar, por edhe një negociator i shkathët.

Altobello, biri i Gjergjit, e ndryshoi përsëri mbiemrin e familjes në Albani. Në vijim të traditës familjare, Albanët vazhduan edhe më tej t’u shërbenin dukëve të Urbinos, deri sa Orazio Albani (1576-1653) vuri themelet e mbarësisë së vërtetë të familjes, duke kryer me sukses misionin e vështirë diplomatik të bashkimit me Papatin të dukatit të Urbinos, kur sundimtari i tij po vdiste pa lënë trashëgimtarë, gjë për të cilën u shpërblye nga Urbani VIII me detyrën prestigjioze të senatorit të Romës. Djali i tij u bë ruajtës i parë i Bibliotekës së Vatikanit, dhe një nip i tij u bë Papë, duke e futur familjen e tij, sipas traditës, në rrethin e fisnikërisë më të lartë romane.

Historia e familjes Albani të Urbinos, nëse për nga mbyllja triumfale e saj duket e pazakontë, duket, përkundrazi, krejt e zakonshme dhe e ngjashme me shumë të tjera për nga fillimet dhe për shpjegimin që i jep nëpërmjet shembullit të saj, pyetjes se si të emigruarit arrinin të ruanin kujtesën historike dhe lidhjet sentimentale me atdheun mëmë, ndonëse kishin humbur çdo lidhje faktike me të. Për këtë prani të luftëtarëve arbëreshë në ushtritë italiane sidoqoftë kemi dëshmi të panumërta.