Ish-drejtuesi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Martin Vulaj, që është i afërt me Richard Grenell, të dërguarin e presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi,tha se këta dy janë njerëz që kryejnë punë shpejt, por efikase.

“Donald Trump dhe Richard Grenell janë njerëz që shikojnë të kryejnë punë në mënyrë shumë efikase. Mund të ketë rikalibrim dhe fërkime që s’u pëlqejnë, por qasjen e tij ndaj shqiptarëve nuk e shoh si qasje personale, por për të zgjidhur problemet ekzistuese. Realiteti është se Kosova është shtet sovran, por është edhe një pjesë e konsiderueshme e shteteve që s’e pranojnë”.

“Grenell e ka parë që në Kombet e Bashkuara ka armiq, Pakistani që është në luftë me Indinë dhe të dy këto shtete janë anëtarë të OKB-së. Ai s’ka pasë arsye se pse Kosova dhe Serbia me qenë anëtarë të OKB-së”.

Ai në rrëfimin e tij në Info Magazine që tregoi për prapaskenat e dështimit të takimit në Washington tha se spekulimet e ndryshme që kanë dalë rreth marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi megjithatë e kanë pasë një bazë.

“Që të jemi fer se ka pasë deklarata të ndryshme që i kanë dhënë bazë këtyre spekulimeve sepse ato s’kanë dalë në ajër. E kemi dëgjuar termin e korrigjimit të kufijve apo sakrificë e dhimbshme, por ka pasë mungesë faktesh. Sa i përket administratës amerikane kurrë s’kanë qenë për shkëmbimin e territoreve. S’ka pasë qëllim ta ndajë Kosovën, por e dimë deklaratën e Bolton”.

Ndërkaq, sa i përket Gjykatës Speciale, Vulaj, tha se Kosova është dashur ta forcojë drejtësinë e saj e të mos krijonte hapësirë për veprime të tilla.

“Ne vetë e kemi krijuar këtë hapësirë që ta shfrytëzojnë këtë. Kosova është dashtë m’u marrë me individë nëse kanë bërë krime dhe me vrasjet politike. Përmes kësaj e forcojmë edhe shtetin tonë. S’do të kishim krijuar hapësirë që të krijojmë pika të dobëta për të na sulmuar. Nuk krahasohet me ata që kanë bërë gjenocid me ne. Kombi duhet bashkuar dhe të krijojë një strategji se si të ecet përpara. Duhet forcuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe të gjendet një rrugëdalje”.