Kushdo që kalon në South Beach në Staten Island, New York mahnitet nga punimet dhe vizatimet në gurë të një mjeshtri shqiptar nga Kraja.

Bajram Gjenasaj prej 12 vitesh skalit kohën dhe pasionin e tij në gurët që i mbledh në bregdetin e Midlandit. Shtëpia dhe oborri i tij i ngjasojnë një atelieje gjigande ku ai punon nën melodinë e zogjve që e përshëndesin atë çdo çast.

Në hyrje të kopshtit të tij artistik krahas pemëve, perimeve dhe dekorimeve, mjeshtri me duar të arta Bajram Gjenasaj ka ndërtuar 5 shtëpiza për zogj dhe pëllumba. Ai i ushqen dhe kujdeset për ta çdo ditë. Krahas nipit të tij që po i trashëgon zanatin, zogjtë shtegtarë janë miqtë e tij të përhershëm. Çdo cicërimë shoqërohet me një skalitje në gurë. Një melodi që shoqëron mëngjesin deri në muzgun e vonë.

Bajram Gjenasaj është nga Kraja e Shkodrës, sot gjeografikisht në Malin e Zi. Bajrami ka 51 vite që është larguar nga Kraja dhe jeton në Staten Island në New York. Në moshën 12 vjeçare familja e tij vendosi të arratisej nga regjimi i Titos për një jetë më të mirë në perëndim. Për të mbërritur në tokën e premtuar në Amerikë, Bajram Gjenasaj dhe familja e tij ndërmorën një udhëtim tepër dhimbshëm si vetë vendimi për të lënë përgjithmonë vendlindjen e tyre.

Pas largimit nga Kraja, Bajrami me familjen e tij u zhvendosën në Trieste, nga aty në Kapua, në Napoli dhe përfunduan në Romë, Itali në kampin ndërkombëtar të emigrantëve prej nga u nisën dhe mbërritën në tokën e premtuar. Vendimi familjar për ti kthyer shpinën vendlindjes ishte shumë i vështirë, na tregon Bajrami. Kraja ishte e izoluar komplet dhe kontaktet me botën ishin inekzistente. Shteti serb në atë kohë as që donte t’ja dinte për shqiptarët. Shqiptarët nuk preferoheshin aspak gjatë regjimit të Titos dhe u lanë të izoluar.

Kraja ishte 100% popullsi shqiptare, duke qenë tërësisht e izoluar, dhe të lënë mënjanë zhvillimit, një politikë e kujdesur shpopullimi në atë kohë prej shtetit jugosllav, krajanët morën rrugët e emigrimit. Ikja ishte rruga jonë e vetme arsyeton mendueshëm mjeshtri krajan Bajram Gjenasaj. Ai kujton pak gjëra nga Shqipëria aso kohe. Punën kolektive, aksionet dhe dritat e qytetit në netët e errëta. Të gjitha këto i kundronte nga Kraja, përballë qytetit historik Shkodrës.

3 dhjetor 1969 mbërriti famijarisht në New York. Bajrami është 63 vjeç sot dhe vazhdon të punojë fort duke ndjekur pasionin që ia mësoi gjyshi dhe babai i tij. Krajanët kanë qenë mjeshtra të përpunimit të gurit. Ashtu siç ia trashëguan pasionin dhe mjeshtrinë, të njëjtën gjë është duke bërë dhe Bajrami me nipin e tij Aiden Shehaj. Edhe pse nipin e gjyshin i ndajnë 60 vite diferencë, kur bie puna për mjeshtrinë dhe punimet në gurë, ata janë në një mëndje.

Bajram Gjenasaj gurëgdhëndës prej më shumë se një dekade në Staten Island mrekullon këdo që sheh punimet e tij si: vazo në gur, piktura guri, mure të veshura në gurë deti të ngjyrave të ndryshme, përpunime të gurëve të detit të të gjitha ngjyrave në çemento dhe allçi, mure rrethuese të stolisur në gurë, rrethime pemësh, dekoracione shtëpiash, dekorime dyersh e dritaresh, shkallë të ndryshme, parmakë, objekte të përdorimit të përditshëm etj.

Bajrami tregon për “Diellin” se idetë e fillimit nuk mbarojnë ansjehërë njësoj. Çdo projekt pëson ndryshime gjatë punimit. Ajo që e bën të veçantë si artist është se punimet e tij ose i dhuron për miqtë ose i mban për veten e tij. Bajrami na shpjegon se punon për pasion jo për industri fitimi. Kjo sipas tij është një terapi fantastike për të gjetur vetvetën në shpritin krijues.

Bajrami punon me porosi të veçanta nga miqtë dhe realizon krijime spontane apo ide të tijat krijuese. Ngjyrat që përdor në punimet e tij janë në varësi të krijimit, elementi patriotik, sportiv dhe mënyra e të shijuarit të jetës. Ky pasion i nisur që nga fëmijëria bën që të përshkruhet i gjithë rrugëtimi i tij jetësor në punimet e tij. Bajrami na shpjegon se puna me gurin dhe vizatimet në murin e skalitur të gurit kërkojnë shumë durim e përkushtim. Atij ju deshen dy vite përkushim e punë për të përfunduar oborrin e tij e kopshtin e tij gjigand, teksa kryen dhe veshjet e mureve, rrugicat, tablotë prej guri etj. Bajrami na shpjegon rreth punimeve të tij se një punim vazo në gurë mund të realizohet në një ditë, ndërsa zakonisht objektet e tjera që gdhend në gurë dhe allçi zgjasin rreth 1 javë.

Bajrami e ka trashëguar prej gjyshërve këtë mjeshtri dhe shprehet i lumtur se në fëmijërinë e tij ka arritur të punojë me gjyshin nga babai dhe nga nëna në punimin e murit të gurit, kalldrëmeve, rrugicave, gureve zbukurues të varrezave etj. Kënaqësia më e madhe sipas Bajramit është se atë pasion dhe dhunti që ia trashëguan të parët po ia lë dhe ai nipit të tij Aiden i cili edhe pse vetëm 3 vjeç praktikon dhe e shoqëron gjyshin e tij teksa i formon atij një talent artistik.