Shkruan: Bajram Peçi

vijon nga pjesa e parë…

“Banorët e Labërisë, – shkroi Johann Georg von Hahn, – e quanin veten e tyre që prej kohësh të moçme arbër dhe vendit të tyre i thoshin Arbëri” Një shembull tjetër që ka tërhequr prej një kohe të gjatë vë- mendjen e studiuesve është emri Labëri. “Quhet Arbëri, – thotë Martin Urban, – ai copë vend malesh të ulëta në lindje të Vlorës e përtej Shushicës, të cilin duhet ta marrim që andej ku vargjet e Gribës ngrihen nga toka kodrinore”. Që emërtimi i krahinës lidhet me emrin e hershëm Arbëri, është vënë në dukje fillimisht nga filologu Hahn dhe më pas nga historianofilologu J. Ph.Fallmerayer, i cili në veprën e tij të njohur, “Elementi shqiptar në Greqi”, i sjell si shembull përpjekjet e fon Hanhn për shpjegimin e fjalëve Albania e Arbëria dhe nuk ka ngurruar të nxjerrë përfundimin se te fjala Arbëria “…ai sheh Albaninë e vjetër që, sipas tij, është pjesa më e egër, më e ashpër dhe më e padepërtueshme e Shqipërisë së mirëfilltë, që shtrihet ndërmjet Aulonës, Himarës dhe Delvinës”, krahinë që në lashtësi quhej Kaoni.

Sipas Hahn dhe Fallmerayer, emri Labëria te vendasit, si dhe te fqinjët, ka afërsisht të njëjtën shtrirje si fjalët Arbëria dhe mirditorët!!!? Nuk u desh shumë kohë të kuptoj se këto ishin përpos se përralla. Me kalimin e viteve më ka rastisur të shoh të bien në përfytyrimin e gabuar të krijuar prej gojëdhënave e t’i bashkohen edhe emra që kishin lidhje me historinë. Por, jam i bindur se kjo nuk ka ndodhur dhe nuk është e vërtetë.

Jo pse nuk gjenden kronika për ndonjë eksod të mundshëm nga krahina shqiptare e Mirditës në atë të Labërisë, por se të dhënat historike, gjuhësore, etnologjike dhe studimi i toponimisë flet për një prani të përhershme eKaonia. Prej kohës së rinisë time të hershme kam ndeshur në legjenda për popullsinë e kësaj treve, nga kishin origjinën të parët e mi. Thelbi i saj ishte: fiset tona rridhnin nga të pashkëputur të fiseve labe nga kjo trevë, pasardhës të kaonëve të lashtë. I gjithë ky keqkuptim e ka patur burimin nga emrat, por sidomos mbiemrat e njëjtë të familjeve, që ndesheshin dhe vazhdojnë të jetojnë ende në këto dy fise të shquara shqiptare, por dhe në Shqipërinë e Epërme e atë të Çamërisë. Raca jonë ka patur dhe ka disa emra të përvetshëm, që nga shqiptimi nuk ngjasin të jenë të pranishëm në gjuhët fqinje. Tipike për krahasim vlen tingulli që ne e shqiptojmë “gj”, por grekë e sllavë e shqiptojnë dhe shkruajnë si “g” dhe “j”. Historianë që nuk dinë shqip ose e njohin atë përciptazi, si psh.

Oliver Schmitt, e mbartin emrin Gjon të të atit të Gjergj Kastriotit nga dokumentet ashtu siç është shkruar, Johan, madje dhe Ivan. Brenda këtij gabimi ra dhe përkthyesi Adrian Klosi.

Në Labëri kanë jetuar e jetojnë njerëz me emra e mbiemra Gjon, Gjini, Gjergj, Gjin, Gjikë, Pal, Gjipali, Gjoka, Gjokutaj, Gjoleka, Gjoliga, Gjoveshi, Deda, Dedëgjini, Duka Përpos këtyre, kemi emrat e mbiemrat Cukala, Kondi, Liza, Leka, Lekdushi, Lleshi, Mëhilli, Mërkuri, Nika, Nikolli, Pali, etj. që i ndesh si në Labëri ashtu dhe në Mirditë. Por nuk janë vetëm emrat e njerëzve që tregojnë se kanë folur, e përdorur njëjtë e pa dallim arbërishten. Në shërbim të argumentit kam marrë e nxjerrë nga Enciklopedia e Kurveleshit, botim i SHB Toena, emrat e toponimeve të fshatrave. Ja disa prej tyre. Gusmar: Lagje Gjomëhille, gropa e Gjikës, vreshti i çikës; Kapariel: maja e Gjikëqezarit, pylli i Gjon lleshit; Lekdush: bregu i Shënmëhillit, sheshi i gjovlashe, te Shënkolli, te Shënmëhillajt, në Gjonuka, në Gjoplakë; Kuç: lagjet Gjokgjin, Qyrgjin, Zhupgjin e Bardhëgjin, mali i Gjeshnikoshit, mali Valthit, mali i Çikës, qafa e Shënmërisë, përroi i Prodanit, kalaja e Lekës, lëndina e Gjokone, lugu i Shënmërisë, te Gjinnika; Nivicë: maja e Gjoçelit, shpella e Gjonushit, kroi i Gjine, shullëri i Gjinoshit, qafa e Dednikës; Picar: në lekgjon; Progonat: maja Gjinnika, fusha e Shëndëllisë; Vërmik: hauret e gjoke; Golëm: mali i Zallgjeçit, fusha e Dedëmënge, arat e Norës, të Mëhille, të Nikollës, të Koçia jve, lëma e Lekëboshit e Gjinfrengës, kroi i Nikollës, buza e Dedës, lugu i gjine, shpella e Dukëlekës, lisat e gjikonde, pellgu i gjine, varri i Gjergjit, i Gjoke, rrahu i Gjikonde, përroi Hilgjinit; Fterrë: krojet e Mërtirlagjes, të Gjishtirës, qafa e Martizës, shkëmbi i Lekës, honi i Zanës, bregu i Lleshit, shpella e Gjonlekës, maja e Gjokaçe; Çorraj: maja e Peçgjonit, e Gjinikës, arat e Lekëvarfit, buza e Gjonishërit, qafa e Gjinikës, e Shënkollit, sheshi i Lleshit. Emrat e tyre janë të moçëm e vijnë prej disa shekuj më parë.

Tingëllojnë si të krishtërimit roman, besimi fetar i mirditorëve, Dukagjinit, Thethit e asaj treve që dikur thirrej Albania Veneta. Ajo që pa droje mund të pohohet me plot gojën, është se të paktën deri në mesjetë nga vijnë këta emra, nuk kish kufij midis formimit gjuhësor e kulturor të trevave veriore e jugore të Arbërisë. Ato besoj se jetonin në një ekuilibër të përgjithshëm. Deri në shek. XV, kohë kur pushtimi osman u hapi derën gjëmave kombëtare, nuk shihet të ketë ndarje, por largësia në kohë, humbja e kujtesës, humbja e besimit fetar, mungesa e shkrimit shqip, e shkollës dhe e shtetit, krijoi hapësira e ndarje, nga nisi shtysën drejt një imagjinate origjina mirditore, që nuk i lë vend evolucionit dhe formimeve të reja në brenditë krahinore, të diktuara nga shkaqe politike, fetare e sociale. Mbase, kjo ka qenë koha kur filluan të krijojnë fizionominë e tyre dialektet.

…vijon në pjesën e tretë