“Reduktimi i numrit të votuesve në Kosovë, përfshirë ata në veri, si dhe heqja e disa vendvotimeve, do ta bëjë të pamundur për disa serbë në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 14 shkurt”, shkruan gazeta serbe “Novosti”.

Fakti që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë praktikisht “uzurpoi të drejtën e votës për serbët që nuk kanë dokumente të Kosovës”, është kundërshtimi aktual që mund të dëgjohet në komunitetin serb.

Pra nëse letërnoftimi i dikujt i UNMIK-ut ka skaduar, ajo konsiderohet e pavlefshme si dokument identifikimi për votim, dhe që kur filloi pandemia e koronavirusit, shumica “që dëshironin të merrnin dokumentet e Kosovës nuk patën sukses, sepse letërnjoftimet në disa raste nuk u lëshuan”, pretendon gazeta.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zvogëluar numrin e votuesve për më shumë se 145.000 në Kosovë, dhe nëse shikoni vetëm katër komuna në veri, numri i votuesve është më i vogël për rreth 16.000. Në vend të 53.500 votuesve, të cilët mund të votonin në zgjedhjet e kaluara, tani e drejta e votës në veri mund të ushtrohet nga 37.500 njerëz.

Numri më i vogël i votuesve mund të nënkuptojë numër më të vogël votash për Listën Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, kështu që mund të mos fitojë të dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb, shkruan “Novosti”.

“Kjo situatë mund të nënkuptojë që listat e tjera serbe, të cilave do t’u duhen më pak vota, do të jenë më afër fitimit të një ose dy mandateve. Përveç LS, në garën zgjedhore janë edhe Aleanca Demokratike Serbe e Slavisha Petkoviqit dhe IQ “Liri,Drejtësi dhe Mbijetesë”, bartësi i listës i të cilës është Millan Dabiq.

“Reduktimi i numrit të votuesve është një formë presioni ndaj serbëve dhe Listës Serbe, dhe kështu edhe privimi i serbëve nga e drejta e votës, por kjo do të jetë gjithashtu një motiv shtesë për bashkatdhetarët tanë të qëndrojnë nën flamurin e Listës Serbe”, ka thënë për “Novosti” nënkryetari i Listës Serbe Igor Simiq.