Nëntori i vitet 1443, për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun shënon vitin e kthesës për të dhe për popullin e tij, që e quan Epirot e Maqedoni në kuptim të shtrirjes gjeografike të popullit arbër. Ky kthim historik ndodhi në Betejën e Nishit, më 3 nëntor 1443, ku u ndeshën ushtritë e Sulltan Muratit II dhe ato hungareze, të udhëhequra nga Janosh Huniadi.

Dhe, sipas shkruesit më të mirë të historisë shqiptare, Marin Baleti, Skënderbeu, i përgatitur me kohë më 300 kalorësit e tij, shfrytëzoi rastin dhe iku nga kampi osman për të marrë rrugëtimin e tij për në trojet e të parëve të tij

Në rrugëtimin e kthimit nga qyteti i Nishit, Skënderbeu kaloi në qytetin e Prizrenit dhe qëndroi për një kohë për ta riorganizuar mbrojtjen e vendit. Nga tregimet folklorike të kësaj kohe, të mbledhura nga Qamil Haxhihasani, thuhet: “Skënderbeu kishte mbledhur gurë në lumin e Drinit të Bardhë dhe kishte meremetuar Kalanë e Prizrenit. Prej qytetit të Prizrenit, Skënderbeu u drejtua për në Tetovë dhe Dibër”.

Bashkimi i popullatës kundër sunduesit

Më 1443, kur ai u vu në krye të kryengritjes së përgjithshme çlirimtare të popullit shqiptar, osmanët, pasi kishin pushtuar Gadishullin Ballkanik, po i turreshin Hungarisë për ta hapur rrugën drejt Evropës Qendrore dhe Shqipërisë, për të kaluar në Gadishullin Italik.

Skënderbeu arriti t’i bindte krerët feudalë, të demoralizuar nga dështimet e mëparshme, që t’i linin mënjanë mosmarrëveshjet midis tyre dhe të bashkoheshin në një front të vetëm luftarak kundër armikut të huaj. Ai formoi më 2 mars 1444 Besëlidhjen Shqiptare të Lezhës. Në kuvend morën pjesë bujarët më të shquar shqiptarë.

Gjergj Arianiti, Andre Sopia, Nikollë e Pal Dukagjini, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, e të tjerë. Ajo që tërheq vëmendjen më tepër është se në Kuvend u vendos që bashkimi i forcave shqiptare të kryhej duke formuar një lidhje midis sundimtarëve shqiptarë. Ajo do ta kishte karakterin e një konfederate, apo të një aleance politike shqiptare. Kryetar i saj u zgjodh promotor i Kuvendit të Lezhës, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Një tjetër vendim shumë i rëndësishëm që u mor në kuvend ishte formimi i një ushtrie të përbashkët, që do të ishte në gatishmëri për të marrë pjesë në luftë, e në rast nevoje do të ndihmonte sundimtarët shqiptarë për mbrojtjen e zotërimeve të tyre. Kapiten i përgjithshëm (Capitaneus generalis) i ushtrisë u zgjodh Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Për t’i përballuar shpenzimet e nevojave ushtarake dhe të luftës u vendos të krijohej një arkë e përbashkët. Fondet e saj do të formoheshin, ndër të tjera, nga kontributi në të holla që do të jepnin sundimtarët arbërorë sipas kuotës që u caktua për secilin.

Shkruan : Bedri Muhadri