Heroi më i madh ushtarak i Shqipërisë ia kushtoi jetën luftës për atdheun e tij të robëruar.

Mund t’ju falet nëse nuk e dini që viti 2018 është ‘Viti i Skënderbeut’. Këtë vendim e mori Qeveria e Shqipërisë në fund të vitit të kaluar, sepse 2018-a shënon 550 vjet nga vdekja e tij, në vitin 1468. Sot Skënderbeu është një figurë pak e njohur jashtë Shqipërisë, por për shekuj me radhë atij i thureshin lavde në Evropën mbarë.

‘Toka e Shqipërisë! Ku u ngrit Skënderi; Muzë për të rinjtë, fanar për të urtët”, shkruante Bajroni në vitin 1812. Kush ishte ky hero i harruar – ndonjëherë i quajtur Zemërluani Shqiptar’ – dhe çfarë e lidh kujtimin e tij me kohën e sotme?

Skënderbeu lindi me emrin Gjergj Kastrioti në vitin 1405 në qytetin e Krujës të maleve shqiptare. Ai ishte djali më i vogël i një sundimtari lokal, në një kohë kur Shqipëria e vogël ishte nën presionin e njëkohshëm të Perëndimit dhe të Lindjes.

Eminent Albanian: portrait of Skanderbeg by Antonio Maria Crespi ‘il Bustino’, c.1620.
Babai i tij, Gjon Kastrioti, u përpoq të ndjekë një taktikë delikate për të mos u rrëzuar as nga venedikasit e as nga turqit osmanë. Si pjesë e kësaj taktike, ai dërgoi disa nga djemtë e tij në lindje si pengje politike, që do të rriteshin dhe edukoheshin në oborrin osman. Gjergji e la vendlindjen në moshën nëntë vjeçare për të shkuar në Adrianopojë (Edrene në Turqinë e sotme), ku u konvertua nga i krishterë në mysliman, duke marrë një emër të ri: Aleksandër, ose Iskander në turqisht. Ai u stërvit në artin e luftës dhe iu dha titulli Bej (zot apo kryetar) dhe kështu lindi emri i luftëtarit ‘Skënderbej’.

Skënderbeu vërtetoi se ishte një udhëheqës i talentuar ushtarak. Qysh kur ishte në të njëzetat ai la gjurmën e tij në fushatat ushtarake osmane kundër territoreve të krishtera, deri në atë masë saqë babait të tij i duhej të kërkonte falje në Venedik për aktivitetet e të birit. Gjoni arriti në përfundimin se Venediku ofronte shansin më të mirë të sigurisë për domenin e tij të kërcënuar dhe iu bashkua kryengritjes kundër Perandorisë Osmane, duke humbur të gjitha tokat. Ai vdiq në mërgim në një manastir të Greqisë.

Sukseset ushtarake të Skënderbeut dhe popullariteti i tij në oborrin osman e mbronin nga ndëshkimi që mund të kishte marrë për shkak të të atit që nuk po i qëndronte besnik perandorisë. Megjithatë, kjo nuk e mbrojti dot të drejtën e tij për të trashëguar trojet e të parëve dhe tokat e Kastriotëve u ndanë midis sundimtarëve të tjerë. Skënderbeu kërkoi që t’i jepej një pjesë e tokave stërgjyshore, por kjo iu mohua. Faktet treguan se osmanët do ta paguanin rëndë këtë gabim.

Duke mos patur më baba dhe as troje për të mbrojtur, Skënderbeu nuk kishte më arsye për t’i qëndruar besnik Perandorisë Osmane. Gjatë një beteje në Nish të Serbisë në vitin 1443, ku turqit pësuan një humbje të madhe, Skënderbeu braktisi ushtrinë osmane dhe u kthye në atdhe. Në krye të një force të vogël shqiptare që kishte dezertuar, ai i vuri aftësitë e tij ushtarake në shërbim të rimarrjes së tokave të të atit. U vendos në fortesën malore të Krujës dhe prej andej nisi luftën për të dëbuar osmanët nga Shqipëria.

Kjo ishte një ambicie e madhe për “Zemërluanin shqiptar” dhe forcën e tij të vogël të dezertorëve. Në fund të fundit, në kohën e tij William Wallace i duhej të përballej vetëm me forcat e Anglisë, e jo me një perandori të tërë siç ishte ajo osmane. Por Skënderbeu ishte shumë më tepër sesa thjesht një komandant i talentuar ushtarak; ai ishte i aftë edhe për të krijuar aleanca. Menjëherë pas kthimit në Shqipëri, ai arriti të bashkonte krerët vendas nën udhëheqjen e tij. Duke refuzuar Islamin e rinisë së tij, Skënderbeu u shndërrua në një kështjellë të krishterë kundër Islamit. Ai siguroi mbështetje financiare nga venedikasit, të cilët donin që osmanët të gozhdoheshin në luftra të tjera e të mos përparonin drejt Evropës Perëndimore. Papa Calixtus III siguroi fonde për fushatat shqiptare dhe, pas disa fitoresh mbresëlënëse, e emëroi Skënderbeun Kapiten të Përgjithshëm të Selisë së Shenjtë. Mbretëria e Napolit u bë një tjetër përkrahëse. Italia po i mbështeste shpresat e saj te ky kryekomandant i Shqipërisë për të penguar Perandorinë Osmane të dilte në bregun e Adriatikut, që ishte vetëm një kërcim i shkurtër drejt Italisë dhe pjesës tjetër të Evropës Perëndimore. Skënderbeu nuk i lejoi. Për 25 vjet me radhë, ai e frenoi Perandorinë Osmane në Shqipëri duke mos e lënë të qetë ushtrinë e tyre në territoret fqinje.

Në moshën 63-vjeçare, pasi i kishte vënë punët në vijë, Skënderbeu arriti ta sprapsë hordhinë osmane. Por kjo nuk zgjati shumë. Brenda dhjetë vjetësh, Kruja ra dhe Shqipëria do të vihej nën sundimin osman deri në vitin 1912. Megjithatë, legjenda e heroit Skënderbe mbeti e gjallë.

Historia e parë për jetën dhe bëmat e Skënderbeut u shkrua nga bashkëkohësi i tij, një prift shqiptar i quajtur Marin Barleti, dhe u pasua nga shumë të tjerë.

Për Skënderbeun janë botuar mbi njëmijë vepra në 20 gjuhë. Edmund Spenser dhe Henry Wadsworth Longfellow shkruajtën poezi për Skënderbeun dhe një dramë e humbur rreth tij i atribuohet (ndoshta gabimisht) autorit Christopher Marlowe.

Një portret i Skënderbeut qëndron i varur në Galerinë Uffizi të Firences. Shpata e tij ruhet në Muzeun Historik të Artit në Vjenë. Statujat e Skënderbeut ngrihen në disa kryeqytete evropiane dhe një bust në Londër bart një mbishkrim që e përshkruan atë si mbrojtës të qytetërimit evropian. E megjithatë, në ditët e sotme ai pak kujtohet jashtë Ballkanit.

Me venitjen e krishterimit në Perëndim dhe rënien e Perandorisë Osmane, rëndësia e këtij njeriu që shpëtoi qytetërimin e krishterë nga perandoria islamike nuk dukej aq e rëndësishme sa më parë. Nga mesi i shekullit të 20-të, shumë territore ku luftoi dhe fitoi Skënderbeu ishin gëlltitur brenda shtetit shumëkombësh të Jugosllavisë ndërsa vetë Shqipëria mbeti e izoluar në një formë ekstreme të komunizmit.

Por kohët kanë ndryshuar. Komunizmi doli se ishte një eksperiment i dështuar dhe termi ‘perandori’ është kthyer në diçka të urryer. Në të gjithë botën, vendet dhe rajonet e ndryshme kërkojnë vetëvendosje dhe komunitetet përpiqen t’i kundërvihen fuqisë së globalizimit.

Një njeri i cili në kushte jashtëzakonisht të vështira ia kushtoi jetën popullit dhe kulturës së vet duke dalë fitimtar, nuk është e mundur të vjetërohet si ideal. Ndoshta Skënderbeu mund të jetë ende një hero për kohët tona.

Autori Karen Murdarasi shkruan për historinë e kishës.