Artistja me prejardhje shqiptare, Ava Max, është tashmë një nga emrat më të afirmuar të tregut internacional të muzikës.

Me prejardhje nga Shqipëria, këngëtarja 26-vjeçare i ka bërë krenarë bashkëkombësit e saj, me sukseset e shumta anë e kënd globit.

Së fundmi, ajo ka shënuar një tjetër moment historik në karrierën e saj – atë të ngjitjes në pozitën e parë të këngëve më të dëgjuara të momentit, në platformën e muzikës mbarë botërore iTunes.

Kënga e saj “My heart and my head”, që është pjesë e albumit të saj debutues, “Heaven and Hell”, është aktualisht kënga e parë në botë në listën zyrtare të iTunes.

E lumtur nga ky sukses, artistja me prejardhje shqiptare publikoi në rrjetin social Instagram një fotografi të listës zyrtare të këngëve më të dëgjuara të momentit në iTunes, me “My heart and my head” që ndodhet në majë të klasifikimit.

“Numri një në iTunes! Çfarë! Ju dua ju të gjithëve, le të ecim përpara”, ka shkruar e emocionuar Ava Max.

Artistja, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Koçi, foli në një intervistë në fillim të këtij viti, mbi sukseset e të qenit një yll ndërkombëtar dhe dëshirën për ta vizituar së shpejti shtetin e saj amtar, Shqipërinë.

“Ndjehem sikur e kam thënë tani për vite me radhë dhe i kam thënë vetës hajde pra, është koha të shkoj atje! Kështu që po – premtoj se do të vij në Shqipëri. Prejardhja ime është shumë e rëndësishme për mua dhe atë se kush jam tani. Prindërit e mi u zhvendosën këtu nga Shqipëria dhe ma kanë ngulitur këtë krenari të pabesueshme për vendin tonë. Mezi pres të vij”, kishte thënë ndër të tjerash artistja shqiptare.