Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës, ka thënë se e ka refuzuar pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit, ku janë duke marrë pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ai i Shqiprisë Edi Rama, bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi deklaroi se ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese.

“Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale”.

“Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave”.

Thaçi theksoi se Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar.

“Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta”, ka shkruar Thaçi në Facebook.