Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë në Pressing se ka mbetur i habitur nga një deklaratë e liderit të VV’së, Albin Kurti, gjatë takimit që kishin kur ky i fundit ishte kryeministër. Thaçi tha se Kurti i ka thënë se Glauk Konjufcën nuk e ka njeri besnik dhe nuk e mban afër vetës, pasi dihet “i kujt është”.

Dje ish-kryeminstri Albin Kurti ka deklaruar se këshilltari i Thaçi, Ardian Arifaj e ka informuar ish-ministrin e shëndetësisë Arben Vitia, për planin e marrëveshjes me Serbinë e cila ishte planifikuar të vihej në zbatim gjatë qeverisjes së tij, duke e cilësuar si plani i thikave mbi “hartën e Kosovës”.

Për këtë sot është pyetur presidenti Thaçi, se a është në dijeni për këto deklarata.

Thaçi ka thënë se këto deklarata janë të pavërteta dhe se ai kurrë nuk ka përmendur shkëmbimin e territoreve. Madje ai ka zbuluar edhe disa detaje nga takimi me Kurtin.

Thaçi tregon se propozoi një bashkëpunim në mes të Qollakut dhe Konjufcës, por një gjë të tillë e kundërshtoi Kurti.

“Unë i kam propozuar që Bekim Qollaku të komunikojë me dikën të afërt. Ai tha se unë nuk kam njeri kaq të afërt që i besoj, ai tha se unë punoj veç vet”, ka thënë Thaçi.

Më pas ai tha se Kurti e ka habitur me deklaratën që e ka bërë për Konjufcën.

“Unë i thash ju lumtë sepse unë nuk mund të punoj pa ekipë. Por, leje Glaukun meqë është i afërt me ju. Ai më tha se “Ti e di i kujt është ai”. Tha unë e mbaj në distancë”, shtoi Thaçi.

Tutje ai tha se është befasuar nga kjo deklaratë e Kurtit pasi që raporti i Konjufcës me të ka qenë shumë i afërt.