Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj- Stublla, sot është pritur në takim nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Republikës së Hungarisë, z.Péter Szijjártó, me të cilin ka zhvilluar diskutime gjithpërfshirëse dhe nënshkruar dy marrëveshje që thellojnë edhe më tej marrëdhëniet e mira midis dy vendeve.

“Pata nderin dhe kënaqësinë e madhe të zhvilloja një takim gjithëpërfshirës me Ministrin Szijjártó, gjatë vizitës zyrtare në Budapest. Nënshkruam dy marrëveshje bilaterale: Mbrojtjen dhe Promovimin e Investimeve, dhe Programin e Koordinimit për Shkencën dhe Edukimin”, bëri të ditur Ministrja Haradinaj-Stublla.

Me këtë rast, kryediplomatja e Kosovës dhe homologu i saj hungarez nënshkruan edhe Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e Edukimit e Shkencës për ofrimin e skemës së bursave “Stipendium Hungaricum” – duke ngritur kështu numrin e bursave të ofruara nga Hungaria për studentët nga Kosova nga 50 në 75 për tri nivele të studimeve.

E shoqëruar nga deputetja, njëherësh Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, znj.Time Kadrijaj dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z.Ramë Likaj, Ministrja Haradinaj- Stublla i shprehu homologut hungarez mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë dhënë Republikës së Kosovës, subjektivitetit të saj ndërkombëtar, dhe aspiratës Euro-Atlantike.

Nga ana e tij, Ministri Szijjártó shprehu mbështetjen e plotë dhe të parezervë për të drejtën e vonuar të Kosovës për liberalizim vizash, duke ftuar të gjitha shtetet e BE-së për veprim strategjik dhe vendimmarrje finale, tani, gjatë Presidencës Gjermane me Bashkimin Evropian.