Themeluesi i BioNTechut, Ugur Shahin, për gazetën gjermane “Bild” ka thënë se plakja është po ashtu gjendje biologjike dhe se është parë dekada më parë se qelizat në lëkurë mund të riprogramohen me faktor të caktuar, dhe mund të ripërtërihen.

Shahin ka thënë se këta faktorë gjithashtu mund të rrjedhin në qeliza përmes teknologjisë mRNA.

“Nuk mund që papritmas të kthesh personat e moshuar në të rinj sikur të ishe në një film fantastiko-shkencor. Mirëpo, ndoshta mund të përmbyset pjesërisht apo plotësisht procesi i plakjes të një zemre të dëmtuar apo të organeve tjera të dëmtuara apo në moshë. Ne besojmë se kjo është e mundur një ditë”, ka thënë Shahin.

Shahin e firma BioNTech janë bërë të njohur për zhvillimin e vaksinës anti-COVID së bashku me kompaninë Pfizer.

Shahin është pyetur se sa gjatë COVID-19 do të përcaktojë jetën e qytetarëve. Ai ka thënë se nëse virusi nuk ndryshon papritmas dhe niveli i vaksinimit vazhdon të rritet në javët në vijim, atëherë muajt e vjeshtës dhe dimrit mund të kalohen mirë.