Shkruan: Aurel PLASARI

Ditë në Kepin e Rodonit, -9° dhe një erë e egër nga tërbimi i detit i detyron edhe barërat të nënshtrohen, siç dallohet në foto. Kështjella e Skënderbeut. Kisha dhe kuvendi françeskan. Të gjitha pjesë të territorit lëshuar në apanazh Mamica Kastriotit nga i vëllai, Gjergj Kastrioti.

Kisha, gati e rrënuar në kohën kur territori ishte shndërruar në “repart ushtarak”, u restaurua në vitet ’90, falë nismës dhe kujdesit të At Zef Pllumit. Pikërisht këtu ruhet i vetmi monument dokumentar brenda territorit të shtetit shqiptar i heraldikës së Kastriotëve: shqiponja me dy krerë.

Them “brenda territorit të shtetit shqiptar”, sepse në saje të katastrofës turke që rrënoi pothuaj çdo dëshmi dokumentare mbi tokën e Arbërisë, jashtë saj në Europë dhe më përtej, ruhen dhe trashëgohen riprodhime të shumta të stemës së Kastriotëve, e cila prej Faik Konicës dhe sot është bërë stema kombëtare e shqiptarëve dhe e Shqipërisë.

Kuvendi ngjitur në krye të herës u ka pas takuar murgeshave të Shën Kiarës, ose Klarisave, të ftuara aty nga Mamica Kastrioti, më vonë e bënë të tyrin françeskanët duke qenë pozicioni tej mase i rrezikuar prej sulmeve të piraterisë ulqinake etj. Në fillim kisha e hershme i ka qenë kushtuar Shën Anastasisë, me emrin e së cilës thirrej edhe limani i atyshëm.

Mandej i është kushtuar Shën Mërisë, më në fund Shën Antonit. Sikurse shihet nga pamja e saj lindore, kisha ka pas përfunduar me tre altarë, një

kryesor dhe dy anësorë, të përkushtuar shenjtorëve pajtorë të cilët ka qenë e detyruar t’i ndryshonte simbas klerit zotërues. Në ditën e sotme njihet si e Shna Ndoit: ecclesia Sancti Antonii. Me vdekjen e Gjergj Kastriotit më 1468 të dy bijtë e Mamicës u bënë “muhamedanë”, duke përfituar prej sulltanit Mehmet II të drejtën për të administruar një rajon të Arbërisë së Mesme, që përfshinte si dy Skurjet, edhe Rodonin, si trashëgimtarë të atit të tyre që ishte Muzaka nga familja princërore e Thopiave.

Kështu bjerrej në Arbëri lavdia e dy familjeve, ndërsa dëshmia e stemës mbeti e regjistruar këtu tek ndodhet edhe sot, në një copëz afresku mbrapa altarit kryesor, si thesar unikal. Kishën, në atë vend të pabanuar, nuk e ruan askush. Me fjalë të tjera: e ruan vetëm Zoti. Një copëz tel lidh trinën e gardhit dhe një dry i rëndomtë mban derëzën e saj.

Cilido dashakeqës ordiner, vizitor ose tjetër kategori, me një çekiç të vogël mund ta prishë lehtësisht atë copëz suva të freskuar, në të cilën ruhet shqiponja, aty mbrapa altarit kryesor, poshtë në lartësinë 1 m, dhe dëshmia unikale në Shqipëri nuk do të ekzistonte më.