Në prag të shuarjes Leka i madh thirri gjeneralët e tij dhe ua bëri të ditur tri dëshirat e tij: tri kërkesat e fundit për këtë jetë.

E para: arkivoli im duhet të bartet në supet e mjekëve më të mirë që gjenden., tha ai.

“E dyta: thesaret që i kam grumbulluar (argjendin, arin dhe gurët e çmuar …), të hidhen gjatë rrugës për në banesën e fundit.

E treta: duart e mia të mbeten të lira duke u lëkundur jashtë arkivolit për t’i parë të gjithë.“

Një nga gjeneralët e tij, i habitur nga këto kërkesa të pazakonta, e pyeti Lekën se cilat ishin arsyet për këto tri dëshira. Leka i Madh ktheu kokën nga ai dhe tha:

“E para: unë dua që mjekët më të shquar që kemi të bartin mbi supe arkivolin tim për t’u dëshmuar se kur të përballen me shuarjen, nuk do të kenë fuqinë për të na shëruar!

E dyta: unë dua që udhës për në banesën e fundit të hidhen thesaret e mia në mënyrë që të gjithë të mund të shohin, se të mirat materiale, të grumbulluara këtu, mbeten këtu!

E treta: unë dua që duart e mia të lëkunden në ajër jashtë arkivolit, në mënyrë që njerëzit të mund të shohin se me duar të zbrazëta arrijmë në këtë botë dhe me duar boshe largohemi, kur për ne përfundon thesari më i çmuar: KOHA!

Nga frëngjishtja: Lis Bukuroca

Bukur shumë, KOHA! Morali i këtij tregim të shkurtër është përsiatja për kohën. Kohën nuk mund ta zgjasin as mjekët dhe as pasuria e madhe; koha mund të humbet, por nuk mund të blihet. Marcel Proust shkroi shtatë romane për 14 vite me titull „Në kërkim të kohës së humbur“ në kërkim të së vërtetës dhe është kryevepra e romaneve të shekullit XX në letërsinë franceze. Prousti me atë kryevepër ka rifituar kohën dhe pashuarjen.

Po çfarë është e rëndësishme në këtë jetë? Koha! Koha dhe shfrytëzimi i saj! Koha! Koha dhe shfrytëzimi i saj i drejtë! Kohën që e kemi shumica përafërsisht njëlloj të gjatë, mirëpo para shuarjes shfaqet një dallim i madh: disa ikin me gjithë dëshirë dhe të pashqetësuar, sepse u ka përfunduar koha dhe dëshirojnë thjeshtë të largohen dhe disa që tmerrohen se po ikin, pikërisht sepse asgjë nuk mund të marrin me vete. Ata, për ta fituar atë pasuri, kanë investuar krejt kohën, por siç shihet, e siç dihet, me para koha nuk blihet, as dashuria jo, prandaj ata do t‘i brejë ndërgjegjja se as fëmijët e vet nuk i njohin si duhet, sepse vraponin pas lekeve, pas suksesit dhe kishin shpërfillur apo harruar të dashurit e vet. Ata nuk kishin kuptuar se koha një ditë përfundon përnjëmend!

Sukses nuk është vetëm fitimi i lekëve, sukses i madh është familja e lidhur me dashuri dhe me kohë!

Leket nuk humben kurrë, ato ndryshojnë vetëm xhepat dhe shpesh njerëzit e pasur, nuk janë të pasur pse e fituan me djersë, por pse e vodhën me sukses, pse u korruptuan; politikanët nuk shesin gjë, nuk prodhojnë gjësend, por janë milionerë. Këta njerëz janë kriminelë, sepse ua kanë marrë lekët popullit, apo njeriut tjetër dhe meritojnë t’u lihen duart jo vetëm jashtë arkivolit, por edhe jashtë varrit!

Pas shkurorëzimit, apo ndarjes nga një e dashur apo i dashur nuk duhet të urrejmë atë: ai ose ajo ka marrë marrë pjesë në jetën tonë dhe na kanë falur më të shtrenjtën në këtë jetë që kishte: KOHËN. Ajo apo ai meriton vetëm mirënjohje, por kurrë jo urrejtje, apo përbuzje! Është biografi emocionale e jetës tonë!

Kjo është jetë që zgjatë disa dhjetëvjeçarë vetëm! Në fund do të na duken disa minuta, prandaj dhurojani kohën atyre që i doni! Ata e meritojnë dhe mos harroni edhe këtë mendim të Dalai Lamës:

“Njeriu! Njeriu, sepse ai flijon shëndetin për të fituar para. Flijon paratë, për ta rifituar shëndetin. Ai ka aq shumë frikë për ardhmërinë, sa nuk shijon të tashmen. Rezultati është se ai nuk jeton as në të ardhmen, as në të tashmen. Ai jeton në atë mënyrë, thua se nuk do të vdiste kurrë. Në fund ndrron jete dhe nuk ka jetuar kurrë përnjëmend.“

Ps. Tregimi gjendet në internet edhe me një „ultra milioner“ si personazh kryesor, por në disa faqe franceze, që më duken serioze, bëhej fjalë për Lekën e Madh, jo për milionerin. Sidoqoftë për ne është me rëndësi mesazhi që përçon ajo rrëfenjë për përdorimin e kohës!